Vllaznia barazoi 2-2 në shtëpi ndaj Bylis, në duelin e javës së 29 të Kategorisë Superiore. Të besuarit e trajnerit Hysen Dedja barazuan rezultatin dy herë, ndërsa sërish “Loro Boriçi” është një makth për shkodranët.

Pas ndeshjes, trajneri që vetëm pak kohë më parë u ul në stolin e kuqebluve do të shprehej se lojtarët kanë mangësi fizike, ndërsa për disa minuta vetëm shëtitën fanellën në fushë.

Si të mos mjaftonin këto probleme dhe gjendja në pozita aspak komode në klasifikim, shkodrënët do të duhet të bëjnë pa mesfushorin Behar Ramadani, I dëmtuar përpara pandemisë. Lojtari veteran do të ishte një pikë e fortë për të tijtë në këtë periudhë, ndërsa ende vijon të mos dalë në stërvitje prej lëndimit.

Kështu, Dedja do të duhet t’I bëjë llogaritë pa motorin e mesfushës të premte në 17:00, atëherë kur në “Selman Stërmasi” do të luhet klasikja e futbollit shqiptar ndaj Tiranës.