Nëse do të ishte gjallë, sot do të festonim 77 vjetorin e lindjes së tij, megjithatë ndonëse prej 5 vitesh nuk është më mes nesh, Ymer Striniqi mbetet sërish “heroi” ynë. Ka qenë shembulli për të gjithë gazetarët e rinj, mbështetësi dhe udhërrëfyesi i madh i tyre.

Ka qenë zëri me të cilin janë rritur breza të tërë sportdasësish dhe jo vetëm në Shkodër, teksa e dëgjonin të buçiste nga kabinat e transmetimit në të gjithë stadiumet e vendit. Jo më kot, Striniqi është konsideruar si pasues i denjë i legjendës së mikrofonit të gazetarisë sportive, Anton Mazreku.

Ka qenë ndër staticienët më të mirë të Shqipërisë, një njeri që nuk gabonte kurrë në llogaritje dhe shifra duke i dhënë secilit “hakun” që i takonte. Ky ishte profesor Ymeri.

Ymer Striniqi ka lindur në Shkodër më 17 qershor 1943 dhe pasioni për transmetimin e ndeshjeve do ta fillonte që në moshë të vogël dhe këtë do ta bënte për 50 vite me rradhë duke sjellë shumë emocion tek të gjithë. Ka komentuar jo vetëm në Radio Shkodra e Radio Tirana, por më pas edhe në Televizionin Shqiptar, ndërsa pas viteve ’90 ka punuar edhe në televizionet lokale të Shkodrës ku ka drejtuar edhe Rubrikat Sportive.

Gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar me gazetat “Sporti Popullor”, “Jeta e Re”, “Sporti Shqiptar” e ndërkohë ka qenë një nga themeluesit e shoqatës publicistike sportive “Anton Mazreku” dhe i gazetës “Vllaznimi Sportiv”.

Ja si do ta përshkruante shkrimtari i njohur Skënder Temali profesor Ymerin: “Afro gjysmë shekulli më parë njoha një njeri me emrin Ymer Striniqi si pak kush në moshën e tij aq të pasionuar pas sportit në përgjithësi e futbollit në veçanti. Për 13 vjet që punova si redaktor në gazetën lokale dhe redaktor përgjegjës i rubrikës sportive në Radio Shkodra në vitet ’70, Ymerin e pata bashkëpunëtorin më të ngushtë e për disa vite dhe si transmetues i të gjitha ndeshjeve të futbollit që zhvillonte “Vllaznia” në Shkodër.

Tek ai, vit pas viti u harmonizua gazetari, staticieni skrupuloz, komentatori, intervistuesi e zëdhënësi i gjithë zhvilleve sportive në Shkodër. Paralel me këtë formim profesional të rrangu kombëtar, unë pashë dhe mikun e kolegun që nuk më braktisi edhe në atë kohë kur nuk jepej asnjë honorar për emisionet sportive.

E ruajta atë miqësi, e cila u shtri edhe në familjet tona. Edhe kur u largova nga gazetaria e iu përkushtova krijimtarisë letrare. E nëse një ditë, në prozën time do të kem një personazh gazetar sportiv, ai padyshim do të jetë me tiparet e cilësitë e jashtëzakonshme njerëzore të Ymer Striniqit”!

Për karrierën e tij, Këshilli Bashkiak Shkodër e pat nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit” në vitin 2008, me rastin e 65 vjetorit të lindjes, ndërkohë që ka qenë edhe fitues i çmimit “Anton Mazreku”.

Profesor Ymeri u nda nga jeta më 27 mars 2015 por duke lënë pas shumë kujtime, shumë statistika dhe mbi të gjitha një emër të shkëlqyer e për rrjedhojë do të kujtohet gjithmonë si një nga gazetarët, komentatorët dhe staticinët më të mirë të Shqipërisë.
Gjergj KOLA