Tre ndeshje në pankinën e Vllaznisë dhe ende nuk ka njohur shijen e fitores. Hysen Dedja nuk ka patur mundësi t’i gëzohet fitores sepse ka arritur deri tani dy barazime me të njëjtin rezultat 2-2 si ndaj Teutës për kupë ashtu edhe ndaj Bylisit për kampionat. Ndërkohë që dje ndaj Tiranës është mundur 3-0 duke marrë edhe humbjen e parë si trajner i kësaj skuadre.

Megjithatë tashmë çdo gjë është lënë pas sepse nuk ka kohë për të bërë llogari të tilla. Kjo javë që vjen është shumë përcaktuese për shumë gjëra sa i takon të ardhmes së Vllaznisë.

Dedja ka konstatuar deri më tani shumë probleme tek skuadra dhe ajo që është më kryesorja, mungesën e përgatitjes fizike, element ky që nuk është e vështirë për ta konstatuar.

Ndërkohë Vllaznia do të luajë të mërkurën në orën 16.30 në Durrës ndeshjen e kthimit të Kupës ndaj Teutës. Në pamje të parë pas rezultatit 2-2 në takimin e parë, duket se shanset që kuqeblutë të kualifikohen janë të pakta. Por nga ana tjetër është edhe dëshira për ta provuar kualifikimin.

Megjithatë skuadra nuk ka forca për të përballuar kaq shumë ndeshje dhe nëse harxhon shumë energji të mërkurën, pastaj do ta ketë problem të dielën për kampionat po ndaj Teutës, por këtë herë në Shkodër. Në fakt Vllaznia më shumë se për gjithçka tjetër ka nevojë për pikë në kampionat sepse pozitat e saj në renditje nuk janë aspak të mira. Megjithatë Dedjes dhe drejtuesve të klubit u duhet të marrin një vendim për këtë gjë.
www.shkodrasport.com