Dy prej lojtareve më të mira të ekipit të AAS, pikërisht Armoku dhe Tukaj, kanë treguar vlerat e tyre edhe në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë të luajtur në Bilisht ndaj skuadrës vendase me të njëjtin emër.

Si rrjedhojë e golave të shënuar prej tyre, ekipi shkodran ka fituar me rezultatin e thellë 7-0. Armoku ka zhbllokuar rezultatin e para dhe më pas ka shënuar edhe tre gola të tjerë ndërkohë që shoqja e saj e ekipit, Tukaj është autore e tre golave në këtë takim.

Pra në këtë takim kanë shënuar vetëm këto dy lojtare, ndërkohë që e ka patur mundësinë ta bënte një gjë të tillë edhe Synaj pesë minuta para fundit, por ajo ka humbur një 11-metërsh të akorduar në favor të skuadrës së saj.

Përfundimisht 7-0 për AAS e cila me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 21 pikëve duke mbajtur për momentin vendin e pestë në renditje dhe duke qenë e shkëputur një pikë nga Kinostudio e cila në fakt ka një ndeshje më pak të luajtur.

Megjithatë duhet thënë se paraqitjet e ekipit shkodran në këtë kampionat kanë qenë më të mira në krahasim me sezonin e kaluar dhe këtë e tregon edhe renditja aktuale e tij.