Trajneri Hysen Dedja, i ftuar në emisionin e televizionit “News 24”, “Sport News Plus”, ka analizuar skuadrat e kampionatin shqiptar. Dedja ka bërë një analizë të të gjitha skuadrave dhe është ndalur disi më shumë te Partizani, i vendit të parë.

Unë ndalem tek anët teknike të skuadrave. Është një Partizan që kryeson me meritë, edhe pse e nisi me humbje me Skënderbeun. Është një skuadër shumë e motivuar. Pa i hequr asnjë meritë presidencës, Gega është drejtuesi që e ka sjellë Partizanin këtu. Ai ka mbajtur grupin të lidhur edhe pse nuk mund të menaxhonte forcën fizike të tyre. Asani apo Hoxha kanë luajtur thuajse të gjitha ndeshjet. Është e vështirë të menaxhosh një grup të tillë.

Flamurtari dhe Daja me gjithë problemet që kanë ka bërë maksimumin. Gara për në Europë do të jetë shumë e fortë. Teuta ka bërë dy faza shumë të mira të para, por në fazat e fundit, nuk ka bërë mirë. Skënderbeu, pret dënimin nga UEFA dhe me gjithë problemet që ka lufton për Europë.

Laçi ka bërë një punë shumë të mirë dhe Starova vazhdon ta bëjë. Në fundin e tabelës, nëse Laçi s’do kishte shënuar në fund do të kishte një luftë të fortë për mbijetesën.

Aleancat dhe Partizani?
Absolutisht që nuk ka pasur aleanca. Një skuadër si Partizani që duhet të marrë titulllin kampion nuk mund ta bëjë këtë gjë. Edhe nëse do të ndodhte do të dëmtonte shumë ekipet e tjera. Në ndeshjen e fundit me Luftëtarin që mund të fusë në lojë lojtarët e rinj, nuk quhet aleancë.

Partizani?
Para një apo dy sezonesh Partizani ka pasur lojtarë më të mirë, por nuk fitoi sepse Skënderbeu ishte më i organizuar. Gega ka meritë të madhe dhe e them këtë sepse për shembull, Bardhin e ai e aktivizoi në sulm dhe i mori 100%, ajo ishte ideja vetëm e Gegës. Partizani e niste presingun që te Bardhi.

Madje edhe golat janë shpërndarë në të gjithë skuadrën. Edhe në momentet që ka qenë keq, dinte të ruante qetësinë. Duka nuk kishte anën fizike, por ai besoj tek ai. Ai deri tani ka dhënë 3 asist, pra është deiçiziv.