Ecuria e deritanishme e Vllaznisë duket e mirë në kampionat por specialistë të ndryshëm mendojnë se ajo duhet të fillojë të mendojë që tani për sezonin e ri. Një ndër ta është edhe Hysen Zmijani i cili në një prononcim për mediat ka vlerësuar ecurinë e ekipit në këtë periudhë por nga ana tjetër, ka thënë se drejtuesit nuk duhet të kënaqen me kaq.

“Vllaznia është duke ecur shumë mirë aktualisht, por ne shpresojmë që kur të dalin për të menduar për Superligën. Unë nuk mendoj se është punë e kryer ngjitja një kategori më lart, sepse në futboll gjithmonë ka oshilacione dhe Vllaznia mund të ketë edhe ajo oshilacionet e saj.

Por nisja është shumë e mirë dhe shpresoj që ta përfundojë kampionatin me këtë ritëm . Normale nëse do të ketë edhe ato problemet e veta gjatë rrugës megjithatë them se Superiorja na pret dhe po ashtu, na pret një punë shumë e madhe. Shpresoj që edhe forca e Bashkisë apo dhe ndonjë sponsori të jetë aty ku duhet, sepse në këtë kategori edhe niveli nuk na përket ne që të jemi këtu sepse jemi më të mirët se të tjerët e këtë po e tregojmë me rezultate”- ka deklaruar Zmijani.

Ndërkohë i pyetur se kur duhet të fillojnë tek Vllaznia të mendojnë për sezonin e ardhshëm, ai është shprehur: “Duhet të fillojmë të mendojmë që tani për Superligën sepse gjithmonë jemi të vonuar, mendojmë vetëm muajin e fundit. Sa mbaron kampionati, rrimë dy muaj pushim dhe pastaj o burra të mendojmë për kampionatin e ri.

Nuk duhet të ndodhë më kështu. Bashkia apo ndonjë sponsor që dëshiron të vijë në krye të klubit, duhet të mendojë shumë shpejt për nisjen e punës dhe hartimin e planit për sezonin e ri”.
© shkodrasport.com