Sikurse pritej, ishte një ndeshje që do t’i kalonte përmasat e fushës së blertë. Në fakt, fërkimet nuk munguan as brenda kuadratit të lojës, ku kryesori argjentinas pati mjaft punë. Antagonizimi ishte i madh edhe në shkallët e stadiumit “974”, ku Serbia u përball mbrëmë me Zvicrën.

Se çfarë ndodhi e kanë parë të gjithë tashmë, bashkë me rezultatin 3-2 për helvetët, ku luajnë edhe dy shqiptarët Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Kombëtarja serbe u eliminua dhe është kthyer tashmë në shtëpi me “bisht ndër shalë”.

Zhgënjimi ka qenë i madh edhe te tifozët serbë, të cilët panë sërish të mundeshin nga shqiptarët e Zvicrës, pësuan një tjetër gol nga Shaqiri. Njëri prej tyre e ka demonstruar zhgënjimin në mënyrë epike, duke shkruar në bluzën që kishte veshur çfarë kishte sakrifikuar për të udhëtuar drejt Katarit dhe ndjekur kombëtaren e tij ndaj Zvicrës.

Sikurse mund ta lexoni në foton që ka publikuar në rrjetet sociale, ky tifoz serb i ka humbur të gjitha: ndeshjen ndaj helvetëve, kualifikimin në 1/8 finale të Botërorit, krenarinë për të mposhtur Shaqirin dhe Xhakën, por dhe… makinën:

“Kam shitur makinën time për të ardhur këtu, për t’ju shikuar juve duke mposhtur Shaqirin”. Emrin e Shaqirit e ka shkruar me shkronja cirilike, në gjuhën serbe, ndërsa fjalët e tjera në anglisht. Tani i mbetet të udhëtojë me autobus, sepse sakrifica nuk ia vlejti për asgjë…/telesport/