Ronald Koeman, ish-trajner i Barcelona-s dhe gati për rikthimin në drejtimin e kombëtares së Holandës pas Botërorit, ka dhën një intervistë për Marca-n.

Trajneri ka komentuar me vëmendje të madhe Kupën e Botës në Katar dhe është ndalur në mënyrë të veçantë te Spanja që, sipas mendimit të tij, falë lojës së saj mbetet një nga favoritet për të fituar.

“Siç ndodh pothuajse gjithmonë, tani ndeshjet e Kupës së Botës me fazën me eliminim direkt do të bëhen më emocionuese. Disa prej rezultateve që kanë befasuar besoj se kanë ardhur nga intensiteti i lojës dhe gjendja fizike e lojtarëve”, ka thënë Koeman.

“Spanja deri në momentin e humbje me Japoninë, ka qenë ajo që ka luajtur më mirë futboll mes të gjithave. Besoj se pavarësisht humbjes me Japoninë është një nga favoritet bashkë me Francën dhe Brazilin.

“Merita është e Luis Enrique, që ka krijuar një lojë të madhe skuadre me të rinjtë. Ai i ka qëndruar besnik filozofisë së tij me këta djem dhe kjo i duhet njohur”.

Nuk ka munguar një koment edhe në lidhje me Holandën e tij: “Kanë treguar se janë një skuadër e fortë dhe solide. Sigurisht, loja duhet përmirësuar, por fakti se janë solidë dhe pësojnë pak gola ndihmon.

“Pa dyshim ndeshjet do të bëhen më të vështira duke vazhduar përpara në Botëror. De Jong? E di se mund të përmirësohet, por është një element thelbësor i ekipit”, ka përfunduar Koeman./telesport/