Vllaznia ka në përbërje sulmuesit që shënojnë më shumë këtë kampionat, duke filluar nga kryegolashënuesi Bekim Balaj me 12 gola, për të vijuar me Ildi Grudën, i cili e ka dërguar 8 herë topin në rrjetë.
Mirëpo, në një vëzhgim të “Panorama Sport” për sulmuesit më efektivë të Kategorisë Superiore, pikërisht ata lojtarë që me golat e tyre i kanë dhënë më shumë pikë ekipeve, Gruda rezulton më i miri.
Shkodrani i ka dhënë plot 15 pikë Vllaznisë me golat e tij, duke qenë vendimtar në pesë ndeshje ku ka arritur të fitojë skuadra kuqeblu.Pra, sa herë ai ka realizuar, kuqeblutë ia kanë dalë të marrin tri pikë në kampionat.
Gruda ka thyer edhe një rekord personal këtë sezon, pasi asnjëherë më parë nuk kishte shkuar në kuotën e 8 golave, teksa ka qenë pjesë e Teutës. Në listën e lojtarëve më efektivë është edhe Lorenco Vila i Dinamos, i cili me 6 golat e tij u ka dhënë 12 pikë bluve.