Përparim Daiu, një nga lojtarët më të spikatur të Partizanit në vitet 90-të, risjell në kujtesë një histori të vjetër, e cila mund të përsëritet.

Në një rrëfim të veçantë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori analizon derbin dhe ecurinë e Partizanit, teksa tregon edhe përballjet e sezonit 1996-1997, kur të kuqtë fitonin Kupën. Në çerekfinale ndesheshin pikërisht “demat” dhe Vllaznia. Ndeshjen e parë e fituan shkodranët 2-0 dhe në kthim Partizani e përmbysi me shifrat 3- 0. Daiu shënonte golin e parë në mënyrë spektakolare. Ai shprehet se Partizani mund ta përsërisë këtë precedent dhe të shkojë më tej. Gjithsesi, ai shprehet se fillimisht duhet ruajtur ritmi në ndeshjen e kampionatit me shkodranët.


I druheni luhatjeve pas këtij derbi apo mendoni se Partizani ka marrë sprintin për t’i shkuar në fund titullit?

Derbi të jep spunto, por kjo nuk duhet të jetë e momentit. Partizani është në momentin më të mirë, ka marrë shpejtësinë dhe duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Ka ardhur momenti që skuadra të ketë stabilitet.


Ndeshja e kthimit me Vllazninë pritet të luhet pa tifozë për shkak të dënimit të disiplinës pas derbit. E vështirëson kjo misionin?

Tifozët janë bukuria dhe adrenalina plus, që i jep edhe më shumë bukuri lojës. Pa dyshim që është një dëm për Partizanin. Unë kam një kujtesë shumë të bukur, që tregon sesa të rëndësishëm janë tifozët. Ka qenë pikërisht faza çerekfinale ndaj Vllaznisë në Kupë. Kishim humbur në Shkodër me shifrat 2-0. Në Shkodër ishin 16 mijë vetë.

Në kthim Partizani theu rekordin, sepse ishin 20 mijë vetë në “Qemal Stafa”, edhe dhjetëshet e dikurshme u mbushën. Ishte një entuziazëm i madh, një ndeshje spektakolare, sepse përmbysëm gjithçka, duke fituar 3-0 dhe kaluam në çerekfinale. Do të doja shumë që Partizani të bënte një fotokopje të kësaj ndeshjeje. Ndonjëherë historia ndikon dhe të motivon që ta përsërisësh. Ishte sezoni 1996-1997 dhe ne fituam Kupën.