Sezoni ka përfunduar tashmë në Superligë ku janë dhënë edhe verdiktet për edicionin 2021-22. Skuadrat tashmë janë shpërndarë dhe futbollistët po shijojnë pushimet.

Por megjithatë puna e klubeve apo ethet që sjell merkato do jenë prezente gjatë gjitë verës. Një nga emrat që duket se është në “lupën” e ekipeve të kampionatit është Redon Dragoshi.

Futbollisti që e mbylli sezonin me Kukësin është në skadencë kontrate me verilindorët. Mbrojtësi ishte protagonist gjatë edicionit me kuksianët duke u aktivizuar si titullar në më shumë se 20 ndeshje dhe duke dhuruar paraqitje goxha pozitive. I formuar në radhët e Tiranës, Dragoshi prej dy sezonesh është pjesë e Kukësit.

Përfundimi i kontratës së tij me skuadrën e presidentit Gjici duket se ka ngjallur interesin e disa ekipeve të tjera në Superligë. 22-vjeçari është pjesë edhe e kombëtares sonë u-21 dhe përveç rolit që mbulon si mbrojtës i djathtë, aktivizohet edhe në qendër të repartit të prapavijës.

Patjetër që ai do ishte një investim edhe për të ardhmen për çdo ekip duke parë edhe moshën e tij të re. Megjithatë sezoni sapo është mbyllur dhe lëvizjet në merkaton e futbollistëve priten të jenë të shumta në kampionatin tonë të futbollit.