Ndryshe nga ndeshja e kaluar në Shkodër, ku i dha tri pikët me golin e tij, kësaj here rrjeta e Redon Mihanës në fundin e takimit u dha vetëm një pikë krutanëve.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, pas ndeshjes, 23-vjeçari e sheh si një pikë shprese këtë barazim. Ai pohon se deri në fund do të japin maksimumin dhe për aq kohë sa matematika ua lejon, do të luftojnë për mbijetesën.

“Mund të them se ishte një pikë shumë e rëndësishme për ne, duke shpresuar që edhe kundërshtarët tanë direktë të humbin.
Normalisht në këtë ndeshje duhet të kishim fituar dhe ajo do të ishte shumë më mirë, por edhe me këtë pikë shpresojmë dhe do të vazhdojmë përpara”, u shpreh fillimisht mesfushori i Kastriotit.

Më tej, ai flet edhe për përballjen e radhës, atë ndaj ish-skuadrës së tij, Egnatias. Mihana ka besim se do ta përgatisin mirë ndeshjen dhe një fitore do t’i mbante në lojë për mbijetesën, me shpresat që nuk i kanë humbur asnjëherë.

“Egnatia është një ekip shumë i fortë, ne do ta përgatisim ndeshjen mirë dhe të shpresojmë për një fitore. Ende kemi besim dhe shpresë te mbijetesa në këto javë të mbetura. Do të japim maksimumin tonë në çdo ndeshje dhe futbollit nuk i dihet asnjëherë”, u shpreh autori i katër rrjetave të realizuara këtë sezon me Kastriotin, skuadër që iu bashkua në muajin janar.