Barcelona dhe portieri Inaki Pena kanë arritur një marrëveshje për të zgjatur kontratën deri më 30 qershor 2026. Ajo që bën më shumë përshtypje në këtë bashkëpunim, është klauzola e largimit, teksa është vendosur shifrat 400 milionë euro.

Gardiani 24-vjeçar, që ende nuk ka debutuar në kampion me skuadrën e parë të Barcelonës, nënshkroi kontratën e re të martën në mëngjes në zyrat në “Spotify Camp Nou” në prani të presidentit Joan Laporta.

Në janar të vitit 2022, Pena shkoi në huazim te Gallatasaraj për pjesën e mbetur të sezonit, ku luajti gjashtë ndeshje në ligën turke dhe dy në Europa League, të dyja kundër Barçës, duke mbajtur portën e pastër në ndeshjen e parë në “Spotify Camp Nou”.

Ai u rikthye te Barça në fund të sezonit dhe 3 janarin e kaluar u bë zyrtarisht pjesë e ekipit të parë. Në nëntor, ai më në fund bëri debutimin e tij zyrtar në një ndeshje të Champions League kundër Viktoria Plzen në transfertë, teksa tashmë kërkon të debutojë edhe në La Liga.