Rudi Vata, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, duke folur për emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, ai ka treguar edhe se si është situata me djalin e tij i cili përfaqëson Irlandën aktualisht me moshat.

“Djali im nuk ka zgjedhur asnjë përfaqësuese se nuk është bërë lojtar që të jetë në një kombëtare. Sigurisht, në Shqipëri ka njerëz që thonë ‘Vata është tradhtar’. Ajo që të bën më shumë përshtypje është se ata që e kanë vjedhur më shumë, e kanë tradhtuar më shumë fanellën e shfrytëzuar më shumë, ato bëjnë moralistin që të vënë gishtin mbi mua.

Ndërkohë unë as nuk kam kërkuar që të bëhet djali pjesë e një kombëtareje, as nuk kam marrë vendim. Unë i kam bërë shkallët e ngjitjes në karrierë normalisht e gradualisht, i kam kaluar të gjitha grupmoshat. Për t’i kaluar të gjitha, duhet kulturë pune e mentaliteti që i vogël. Ky të çon te qëllimi për të qenë lojtar i një kombëtareje të madhe. Ka shumë që arrijnë deri te U21, por finalen, pengesën e fundit, e kalojnë shumë pak.

Përderisa nuk kemi mbërritur te ajo pengesë, është e kotë edhe të diskutohet. Për mua e rëndësishme është që djali ka bërë hapat e duhur, ka zhvillimin e duhur, është brenda pritshmërive. Ka punë për të bërë për të kaluar pengesën e fundi, për të qenë i vlefshëm për një kombëtare. Nëse vjen kjo ditë, sigurisht tavolina është aty për të diskutuar, se në jetë duhet të marrësh vendime të rëndësishme të cilat i shërbejnë njerëzve për vazhdimësinë e jetës. Nëse do të bëjmë muhabete si në Shqipëri që diskutohet në tavolinë e mbyllet aty, unë nuk jam prej këtyre.

Unë jam për projekte serioze e qëllime serioze, nuk jam pjesë e matrapazëve, nuk shitem e blihem. Këtë mundohem t’ua transmetoj fëmijëve të mi, nuk është e lehtë të jesh baba që ke ambicie. Familja është e rëndësishme dhe kur ke fëmijë për të rritur është përgjegjësi e madhe. Kështu e kam ndërtuar familjen time, nëpërmjet ideve të mija. Janë situata që duhen menaxhuar me kujdes të fëmija, qëllimi është të kemi fëmijë të shëndetshëm fizikisht, psikologjikisht dhe moralisht.

Eksperienca e parë në Shqipëri, kur kisha një moment kur kisha energji për të kontribuar në futbollin shqiptar, kam ofruar vetveten time. Kam kuptuar se ka shumë diferenca sa i përket mentalitetit e kulturës. Unë produkt shqiptar, i lindur këtu, por 32 vite që kam kaluar jashtë, jam rritur shumë në të gjitha drejtimet, se të gjitha këto eksperienca më kanë ndihmuar të kuptoj se si funksionon jeta e gjërat normale. Kur je mësuar me gjërat normale e vjen në Shqipëri që të ndërtosh diçka, e ke një grup njerëzish kundër, e kë të pamundur se nuk gjen terrenin për t’u rritur.

Këta njerëz janë ata që nuk kanë dëshirë të punojnë se nëpërmjet punës arrihet çdo gjë, se për të ndërtuar një skuadër futbolli duhet të kesh njerëz të edukuar profesionalisht pikë së pari, njerëz që kanë përgjegjësi”.