Agim Ibraimi pranon se Dinamo nuk po paraqitet aty ku duhet dhe ka ardhur koha që të gjithë të marrin përgjegjësitë për këtë situatë. Kapiteni i bluve, në analizën e tij në “SuperSport” pas barazimit me Partizanin, theksoi se skuadra kishte lënë shumë për të dëshiruar.

“Mendoj se nuk ishim në nivelin e duhur, personalisht të jem i sinqertë, ashtu siç ishim me Teutën,. Në minuta e parë nuk konkretizuam gjërat siç duhet ndaj nuk konkretizuam. Duhet të zhbllokohemi nga ngërçi psikologjik që kemi. Besoj se me kalimin e kohës duhet të shohim njëri-tjetrin në sy dhe të themi gjërat siç janë. Besoj se skuadra ka kualitet, por duhet edhe përgjegjësi personale e çdokujt. Çdokush përgjegjësi për vete dhe pastaj rezultatet do të vijnë në fund.

Kemi vetëm dy qendërmbrojtës, duhet analizuar mirë. Çdokush duhet të jetë i uritur për t’i marrë vendin dikujt. Kështu e ka futbolli, të jepet hapësirë e duhet ta shfrytëzosh e të jesh çelësi i suksesit të skuadrës, çdokush të presë me vullnet pozicionin që të jep trajneri dhe siç e thashë, është përgjegjësia e gjithsecilit.

Skuadrës i duhet shkallëzimi apo dalja nga zona në zonë, dalja më e shpejtë. Por duhet theksuar se edhe kundërshtari analizon gjërat mirë. Unë mundohesha të tërhiqja mesfushorin që të hapja hapësira për Siljanovskin. Patëm 2-3 herë hapësira, por duket se Partizani na kishte analizuar mirë. Nuk duhet që gjithmonë ta bëj unë pasin e fundit, por ta bëjë gjithkush, pasi kemi lojtarë shumë cilësorë që mund ta bëjnë.

Tani do të duket fytyra e vërtetë, karakteri i vërtetë i lojtarëve që janë përzgjedhur nga Dinamo. Kjo është përgjegjësi dhe nuk duhet të trembemi se jemi krijuar për pozita më të larta, jo ku jemi. Besoj se skuadra ka cilësi, ka harmoni se është e rrallë në Shqipëri pas këtyre rezultateve negative . kështu që ka harmoni, rezultate jo.

Çfarë duhet? Përgjegjësi. Çdokush duhet të ketë përgjegjësi për veten, të analizojë veten. Unë kam shumë ndeshje në këmbë, jam edhe vetë kritik dhe e di rastin ku mund të bëj më mirë. Mundohemi të përmirësohemi, kemi ardhur në një periudhë ku duhet të zhbllokohemi psikologjikisht dhe këtë duhet ta bëjë çdokush nga vetvetja fillimisht”, tha Ibraimi.