Skënderbeu dhe Vllaznia e mbyllën në barazim 2-2 përballjen e tyre. Një takim që u zhvillua në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës për javën e 22-të të kampionatit.

Ndeshje që prodhoi një lojë të një niveli mesatar, por dominuese në pjesën më të madhe ishte skuadra kuqeblu. Megjithatë përveç ndeshjes, përshtypje bëri edhe një penallti e akorduar për Skënderbeun në minutat e fundit të ndeshjes.

Portieri i Vllaznisë, Zogoviç, në një dyluftim për topin me Vrapin, duket se shtyn këtë të fundit, por fare lehtë. Mesfushori korçar shtrihet në tokë e ndërsa menjëherë, gjyqtari Laver Alla akordon penallti. Megjithatë, gjyqtari Alla vendos që ta shqyrtojë episodin me anë të pamjeve që ofron sistemi VAR.

Megjithatë, pamjet që i ofrohen gjyqtarit Alla janë me të vërtetë pamje që lënë vend për hije dyshimi. Kjo sepse i jepet vetëm një plan nga larg dhe në asnjë moment, atij nuk i ofrohet kamera që ishte prapa portës së Vllaznisë, teksa nuk e jep episodin e ndodhur nga afër.

Kjo pamje mund të shërbente edhe për ta qartësuar atë moment akoma edhe më tepër. Në fund, Alla vendos penallti dhe karton të kuq për Zogoviç, teksa edhe këtu ka shumë vend për diskutim.

Nga njëra anë, pamja prapa porte u dha gjatë transmetimit live të ndeshjes në SuperSport, teksa nuk kuptohet pse nuk iu ofrua gjyqtarit Alla në VAR, por kjo tregon që në këtë mes diçka është kundër Vllaznisë. Nga ana tjetër, nëse duam të bëjmë pak “konspiracion”, duket si një dashakeqësi ndaj skuadrës së Vllaznisë, gjë po ndodh shumë javët e fundit.

Diçka e tillë mund të mendohet fare kollaj, duke parë edhe sa shumë është penalizuar Vllaznia ndeshjet e fundit dhe sa shumë kartona të kuq i janë dhënë skuadrës shkodrane. Duke qenë se “mburremi” çdo javë se sistemet tona të kamerave në stadium krahasohen me kampionatët më të mira europiane, do ishte e mira që të ofroheshin pamjet e duhura për çdo episod që ndodh në fushën e lojës.

Maringlen ZHIVANI