Flamurtari përshën det iniciativën e FSHF-së për krijimin e një sistemi incentivimi financiar për klubet e Kategorisë së Parë, për lojtarët e grupmoshës 16-21 vjeç. Për “Panorama Sport”, administratori Sinan Idrizi thotë se kjo është e para herë që qeveria e futbollit në vend bën diçka serioze duke injektuar në futboll. Gjithçka në kuadër të mbështetjes dhe promovimit të lojtarëve të rinj. Sipas kësaj formule që nxit klubet, të rinjtë do të paguhen 200 lekë për minutë.

Sinan Idrizi thotë se kjo risi e FSHF-së aplikohet prej tri vitesh te Flamurtari. Vlonjatët do të kenë këtë sezon tre lojtarë të kësaj grupmoshe në ekip.

“Kaq kohë sa kam unë që merrem me këto ‘havaletë’ e futbollit, është e para herë që FSHF-ja ka bërë një gjë serioze dhe që e kanë seriozisht këtë gjë. Është e para herë që kemi diçka konkrete nga FSHF-ja dhe që flasim për sportin që ka lidhje të drejtpërdrejtë dhe që injekton në futboll. Është një risi për futbollin, por që në fakt për ne nuk është e re.

Te Flamurtari kemi dy-tri vite që e praktikojmë këtë, me këta lojtarët e rinj që kemi në skuadër duke i motivuar ata. Por këtë vit është pak problem për të rinjtë, pasi në skuadër do të kemi një ose dy që do të luajnë. Ne kemi tre futbollistë të kësaj grupmoshe, 16-21 vjeç, që përfitojnë nga ky bonus që ka vendosur FSHF-ja, në bazë të minutave që ata do të aktivizohen”, u shpreh fillimisht Idrizi.

Por administratori e ka edhe një merak, ndaj uron të mos i “hajë me sy”. “Nëse ka ndonjë gjë që ia vlen të duartrokiten këta, është vetëm kjo. Vetëm mos t’i ‘hamë me sy’ ore, se mos ngelen në vend numëro pastaj. Është me të vërtetë një gjë fantastike për futbollin”, shprehet administratori.

MERKATO- Puna për përforcimin e ekipit në Vlorë nuk ka ndalur asnjëherë. Administratori Sinan Idrizi konfirmon se janë thuajse të mbyllura bisedimet me dy sulmues të huaj. Ka edhe një mesazh për lojtarët e Superiores që u përfolën se do të vinin te Flamurtari, për të cilët thotë duhet të rrisin më tepër cilësitë.

“Unë tani po negocioj me dy lojtarë të tjerë për sulmin. Janë të huaj dhe bëjnë diferencën. Thuajse janë konkluduar gjërat me ta, por po merremi me detajet. Kishim disa lojtarë shqiptarë të Kategorisë Superiore në tratativa, por kam idenë që duhet të rrisin pak më tepër cilësinë. Megjithatë, jemi në bisedime edhe me dy lojtarë nga Superiorja”, përfundon Idrizi.