Zhordi Alba është kapiteni më i fundit që ka vendosur të largohet nga Barcelona në mbyllje të sezonit. Mbrojtësi i majtë i Barcelonës ka kapur të gjithë në befasi të mërkurën, teksa ka deklaruar se dy takimet e mbetura deri në mbyllje të sezonit janë të fundit për të me fanellën e Barcelonës.

Ai ka vendosur të hapë krahun, duke iu bashkuar dhe Serxhi Busketsit që gjithashtu do të largohet në mbyllje të sezonit si dhe Xherard Pikesë, i cili ishte larguar nga klubi që në tetor të vitit të kaluar. Sigurisht që largimi i tre prej kapitenëve të klubit nuk është diçka e zakontë për një klub.

Por në rastin e Barcelonës, largimi i tyre mund t’i ketë shtruar përfundimisht rrugën e kthimit të Lionel Mesit në “Camp Nou”. Pike, Buskets dhe Zhordi Alba kanë qenë tre nga lojtarët më të paguar të Barcelonës.

Të tre së bashku ata u kushtojnë diçka më shumë se 35 milionë euro arkave të klubit. Heqja e kësaj barre të rëndë financiare i jep disi frymëmarrje buxhetit të klubit, teksa me milionat e kursyera nga largimi i treshes së veteranëve mund t’i shërbejë Barcelonës për të mbuluar pagën e Lionel Mesit, që llogaritet në kufijtë e 25 milionë eurove në sezon.

Barcelona sakaq është në pritje dhe të mendimit të La Ligës në lidhje me fizibilitetin e planit ekonomik që klubi ka dorëzuar për sezonin e ardhshëm.