Është inauguruar sot përmes një ceremonie stadiumi i Luzit 2008 me impiantin e transformuar totalisht përmes një investimi të rëndësishëm të Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëfinancim me klubin e Kategorisë së Parë.
Në ceremoninë e zhvilluar sot përpara nisjes së ndeshjes Luzi 2008-Korabi, e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë së Parë, morën pjesën Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, drejtuesit e dy klubeve si edhe personalitete të futbollit kavajas.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shprehu kënaqësinë për këtë investim të rëndësishëm me një vlerë të konsiderueshme në këtë stadium, që është rikonstruktuar nga e para dhe tashmë gëzon standarde të shkëlqyera për ndeshjet e kampionatit, duke përmirësuar nivelin e infrastrukturës sportive.
“Jam vërtetë shumë i kënaqur që jam sot në Luz, nuk është hera ime e parë këtu dhe vërtetë jam i gëzuar që sot Federata Shqiptare e Futbollit iu bashkua financimit dhe investimit për ta bërë këtë impiant akoma më të bukur. Ky nuk është vetëm një stadium i Luzit, por i gjithë Kategorisë së Parë, dua të falënderoj Albert Lushën për kontributin, falënderoj të gjithë stafin e Federatës që ka punuar me shumë përkushtim këtu për të kryer punimet cilësore të kësaj fushe ku ne jemi sot, dhomat e zhveshjeve, stolat e gjithçka tjetër.
Futbolli nuk i takon vetëm qyteteve të mëdha, futbolli i takon çdo fëmije shqiptar dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm që të shkojmë dhe të kujdesemi për çdo fëmijë në çdo cep të Shqipërisë. Faleminderit dhe ta gëzoni stadiumin, sa më shumë suksese e sa më shumë futboll në Luz”, – tha Presidenti Duka në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së inaugurimit.
Investimi konsiston në rikonstruksionin e plotë të bazamentit të fushës duke i shtuar edhe sistemin e ri të vaditjes për ta kompletuar me fusha e re me bar natyral, që është e standardeve më të mira.
Përveç fushës që është ndërtuar në parametra mjaft të mira, njësoj si edhe në stadiumet më të mira në Shqipëri tashmë, FSHF ka financuar për stolat e rinj të tribunës, si edhe është kujdesur për sistemime të tjera në të gjithë stadiumin, ndërkohë që përveç blerjes së bazës materiale për të gjithë investimin është kujdesur përmes ekspertëve të saj për të gjitha fazat e punimeve.
Presidenti i klubit Luzi 2008, Albert Lusha ka falënderuar posaçërisht Presidentin Duka për mbështetjen e madhe në realizimin e këtij investimi mjaft domethënës për këtë skuadër.
“Erdhi më në fund koha që në të kthehemi në shtëpinë tonë, kam një falënderim të veçantë për Presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Pa ndihmën e tij ky investim kaq madhor nuk do të ishte i mundur”, – tha Lusha.
Gjithashtu, në këtë impiant është ndërhyrë edhe në dhomat e zhveshjeve, që janë rikonstruktuar totalisht, teksa në këtë fazë është investuar edhe klubi i Luzit 2008 përmes bashkëfinancimit.
kryetari i Bashkisë Kavajë, Redjan Krali, dha lajmin se shumë shpejt mund të nisin punimet edhe për rikonstruksionin e stadiumit të Kavajës, teksa vlerësoi mbështetjen që FSHF po i jep futbollit në çdo vend. “Më gëzon çdo investim që bëhet në fushën e futbollit, në një kohë që ne së bashku me Presidentin e FSHF-së dhe qeverinë po diksutojmë intensivisht për të rikonstruktuar edhe stadiumin e Kavajës dhe shpresojmë që aty të nisin shumë shpejt punimet”, – tha Krali.
Ky investim vjen në kuadër të politikave të FSHF-së për të bashkëpunuar me klubet në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës sportive, qoftë duke ndërtuar fusha të reja apo duke rikonstruktuar stadiumet anembanë vendit që kanë nevojë për ndërhyrje.