Të shtunën në mbrëmje në “Allianz Stadium” të Torinos, Juventus do të ketë si objektiv kryesor parakalimin e Inter, për të qenë për një natë në krye të Serie A, në pritje të Napoli-Fiorentina. Për të bërë diçka të tillë duhet të ndërpresin një seri pathyeshmërie që zikaltërit kanë pasur në këtë kampionat. Në këtë sezon, duke marrë në konsideratë 5 kampionatet kryesore në Europë, kryesuesja e Serie A është si Manchester City në Premier League, Barcelona dhe Atletico Madrid në La Liga.

Të gjitha skuadrat e tjera kanë humbur të paktën një ndeshje. Nëse do të shohim më pas 10 kampionatet kryesore, në bazë të koeficienteve të UEFA, dallojmë ekipe të tjera që nuk kanë humbur ende në këtë sezon, si Porto dhe Sporting Lisbonë në Portugali. Ndërsa në “Top 30” lista shtohet me Celtic në Skoci, Viktoria Plzen në Çeki, Anorthosis dhe Apollon Limassol në Qipro, Dinamo Zagreb në Kroaci dhe Qarabag në Azerbajxhan.