Inter po punon për të sjellë në Itali portierin 18-vjeçar, Gabriel Brazao, i cili aktualisht është me skuadrën e Cruzeiros në kampionatin brazilian të futbollit. Agjenti i tij ka qenë së fundi në Milano, ku ka takuar drejtuesit e Inter dhe po finalizojnë detajet e fundit të kontratës së tij.

Brazao konsiderohet si ndër portierët më të talentuar të vitlindjes 2000 dhe për të po zhvillohet konkurrencë e fortë mes Manchester United, Roma dhe Arsenal, por nga Italia bëjnë me dije se Inter e ka gjetur formulën për ta sjellë në Milano.

Brazao nuk posedon një pasaportë evropiane, prandaj ai zë një vend si ekstrakomunitar në skuadër. Vend të cilin Inter nuk e ka të lirë. Prandaj, ai do të blihet për 2.5-3 milionë euro nga skuadra braziliane për t’u lënë në huazim te skuadra e Chievos, deri në momentin që ai të fitojë pjekurinë e duhur dhe eksperiencën e nevojshme në Itali.

Kjo skemë është përdorur për të marrë Julio Cesar nga Flamengo në vitin 2005, që asokohe ishte 26 vjeç dhe arriti të bëjë 300 paraqitje me fanellën zikaltër, aq sa për t’u bërë pjesë e tripletës së famshme në vitin 2010.

Kush është Gabriel Brazao?

Një 18-vjeçar, i gjatë 1.91 metër, me eksperiencë në elitën e futbollit brazilian dhe ka mbrojtur fanellën e Brazilit në Botërorin nën 17 vjeç, aty ku fitoi medalje të bronztë dhe u shpall portieri më i mirë i atij kompeticioni. Sukseset e tij patën vetëm rritje, pasi fill pas kësaj ngjarje ai u grumbullua me ekipin e parë të “Selecao” nga trajneri Tite, duke qëndruar si portieri i tretë pas Alisson dhe Ederson./telesport/