Vllaznia e volejbollit të femrave pavarësisht largimeve që ka patur, po bën mirë si në kampionat ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë ku luajti si e barabartë edhe në gjysmëfinale, pavarësisht se nuk shkoi dot në finale.
Një nga elementët kryesorë të këtij ekipi padyshim që është shuterja Izabela Dodani. 18 vjeçarja është një pikë referimi në lojën e kësaj skuadre dhe ajo premton se synimet janë për të bërë gjëra të mira deri në fund të sezonit.
Izabela ka folur për gazetaren Fabiola Caka në një intervistë për “Shkodra Sport” ku ka shpjeguar mënyrën si u lidh me këtë sport, por edhe synimet për të ardhmnen.
– Izabela, a ka qenë e veshtirë për ju të merreni me sport dhe cilin mund të veçoni si momentin më të vështirë?
Sporti është sakrificë në vetvete. Nuk është e lehtë të përballosh çdo sfidë me të cilën sporti të përballë. Volejbolli për mua është pasioni më i madh. Falë këtij pasioni dhe dëshirës për të qenë sa më e mirë, kam arritur t’i bëj ballë sfidave dhe të arrij këtu ku jam sot. Ka pasur nga ato momentet e vështira kur nuk jemi vlerësuar aq sa duhet, por kam besim se në fund mundi dhe sakrifica do të shpërblehen.
– Si janë marrëdhëniet me stafin dhe pjesën tjetër të skuadrës?
-Marrëdhëniet me stafin dhe skuadrën janë shumë të mira. Me disa nga vajzat kemi vite që luajmë bashkë dhe marrëdhëniet tona nuk kanë sesi të jenë ndryshe. Rezultatet e tregojnë mjaft mirë ketë fakt.
– Një rezultat jo pozitiv në gjysëmfinale të Kupës kundër ekipit kryeqytetas. Çfare i mungoi Vllaznisë për të arritur fitoren?
Ndeshja në gjysëmfinalen e Kupës kundër klubit të Tiranës ishte një ndeshje me shumë rivalitet. Arritëm pothuajse të gjithë ndeshjen të mbanim ndeshjen me pikë të barabarta, por me sa duket kjo nuk mjaftoi për të rrëmbyer fitoren.
– Në grupin ku ju bëni pjesë Vllaznia rradhitet në vendin e dytë.A është ky vendi i duhur per skuadrën tuaj?
Të luash për Vllazninë detyrimisht të jep një përgjegjësi të madhe sepse objektivat janë mjaft të qarta,të arrijmë titullin kampion. Rradhitja në vendin e dytë është shumë afër qëllimit.
Në fazën e dytë kemi rival direkt ekipin Barleti Volej. Një fitore ndaj tyre na rradhit në vendin e parë. Megjithatë, play-off-in e kemi të siguruar.
– Jeni pjesë e Kombëtares Shqiptare gjithashtu, si ndiheni kur mbani veshur fanellën kuq e zi?
Të mbash veshur fanellën kuq e zi dhe të përfaqësosh vendin tënd është një emocion i madh dhe i veçantë.
Kjo arritje është një nga kënaqësitë më të mëdha që kam marrë nga sporti deri më tani.
– Kush është ëndrra jote më e madhe apo synimi që ke për të ardhmen?
Një ëndërr e bërë realitet ishte pjesëmarrja me ekipin kombëtar. Për të folur për synimet e mia për të ardhmen ka qenë dhe mbetet ajo për të luajtur jashtë vendit.
Intervistoi: Fabiola CAKA