E ushtron sportin e volejbollit prej 8 vitesh dhe ndjehet e lumtur. Aty ka gjetur vetveten, por edhe njeriu e zemrës, sepse pak kohë më parë kurorëzoi fejesën me volejbollistin Gledis Dibra. Si rrjedhojë, për Klodeta Zhivanin, parketi i fushës së volejbollit do të thotë shumë.

Familja e saj është dashamirëse e sportit dhe po ashtu, pjestarë të saj kanë qenë dhe janë të lidhur me gazetarinë, ndërsa vetë ajo ka zgjedhur të luajë.

Zhivani ka pranuar me kënaqësi të flasë për “Shkodra Sport” duke u intervistuar nga gazetarja Fabiola Caka teksa është shprehur:

– Klodeta, faleminderit që pranuar të intervistoheni për “Shkodra Sport”…

Faleminderit ju për interesimin.

– Si ka lindur dhe është zhvilluar pasioni për këtë lloj sporti tek ju?

-Vij nga një familje dashamirëse e sportit dhe botës rreth tij.Duke qenë se sporti ka qenë gjithnjë i pranishëm edhe pasioni për të ka lindur që në moshë të vogël, u rrita duke e zhvilluar këtë gjë nga aktivitetet e shumta shkollore dhe jashtë saj. Më vonë me angazhimin në ekipin e të rejave të Vllaznisë, pasioni dhe deshira pësuan rritje të vazhdueshme deri më sot, ku bëhen plot 8 vite me fanellën kuq e blu.

– Përse volejbollin dhe jo një sport tjetër?

-Besoj se zgjedhja për sportin e volejbollit ka ardhur natyrshëm nga bukuria që ky sport të ofron dhe dëshira për ta njohur dhe zhvilluar më shumë tek aftesitë e mia. Volejbolli është një sport mjaft i popullarizuar, ushtrohet në shkolla në ambiente të jashtme apo të brëndshme dhe ka shumë benefite shëndetësore.

– Cili është ai moment që do e mbani mend gjatë nga karriera juaj?

-Në sport përjetojmë shumë emocione, shumë adrenalinë. Kemi momente tensioni dhe lumturie. Një nga ndeshjet më të bukura të zhvilluara ka qenë sezonin e kaluar kundër ekipit të Partizanit në Pallatin e Sportit, plot e përplot të mbushur nga tifozët të cilët po na mungojnë shumë këtë sezon. Gjithashtu, nga volejbolli do të evidentoja dhe një pjesë personale timen, siç është njohja dhe finalizimi me personin e zemrës.

– Si janë raportet tuaja me stafin dhe ekipin?

-Ekipi i Vllaznisë drejtohet nga dy figura shumë të rëndësishme të qytetit tonë me në krye ikonën e volejbollit Shkodran dhe atij shqiptar, Nora Dedën, me të cilën është nder të stërvitesh. Nora dhe Ardian Dodani me eksperiencat e tyre kanë krijuar një klimë shumë të mirë brenda ekipit. Jemi stërvitur fort dhe kemi shumë shpresa për arritjen e objektivave.

– A ka pasur një moment që ke thënë se do heqësh dorë nga volejbolli? Nëse po, çfarë të ka ndaluar për të mos e marrur këtë vendim drastik?

-Ashtu si në çdo fushë tjetër edhe sporti ka uljet dhe ngritjet e veta. Të gjithë mund të kemi pasur momente dobësie dhe kemi dashur të tërhiqemi, por dashuria dhe pasioni për sportin kanë mbizotëruar gjithmonë.

– Cilat janë objektivat që i keni vendosur vetes për të ardhmen?

-Objektivat e një të ardhmjeje të afërt janë arritja e qëllimeve që kemi vendosur për këtë sezon në një ekip që mbizotëron elementi i ri dhe gjithashtu personalisht të jap maksimumin në arritjen e këtyre objektivave.
Intervistoi: Fabiola CAKA