11-vjeçari Besardo Ndoj është padyshim një ndër portierët më me të ardhme të Akademisë Vllaznia. Së fundmi, ai u grumbullua edhe me Kombëtaren rajonale U-13 të Shkodrës dhe në turneun rajonal me Kombëtaret e qyteteve të tjera, U-13 e Shkodrës arriti të sigurojë finalen në ndeshjen e sotme ndaj Durrësit.
Në këtë përballje, Ndoj luajti një rol mjaft të rëndësishëm me pritjet vendimtare të tij, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit për Kombëtaren rajonale U-13 të Shkodrës. Në ndeshjen e sotme, ai u mundua të japë më të mirën e mundshme me pritjet nga ana e tij dhe kjo e ka bërë atë të evidentohet nga të tjerët.
Ndoj është pjesë e ekipit Vllaznia U-14 dhe duke folur për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani, ka rrëfyer hapat e parë dhe të deritanishëm të karrierës së tij, por edhe për ëndrrat e së ardhmes.
Poashtu, një fakt tepër interesant është që Besardo Ndoj është “gardiani” i tretë që nxjerr kjo familje, pasi poashtu si portierë luajnë edhe babai i tij, Besnik Ndoj tek Ada dhe vëllai i tij, Alevio Ndoj tek Vllaznia U-15. Për më tepër, lexoni intervistën e mëposhtme për “Shkodra Sport”.
“Emocionet e ndeshjes së sotme me Kombëtaren rajonale? Në fakt, kisha shumë emocione, sepse ishte përfaqësimi im i parë në Kombëtaren rajonale. Eshtë privilegj i madh të jem kapiteni i skuadrës dhe poashtu, isha shumë i lumtur, sepse shkuam edhe në finale. Të luash me Kombëtaren dhe aq më tepër të jesh kapiten është kënaqësi, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e madhe.
Në fakt, është dëshirë e madhe të veshësh fanellën e Vllaznisë. Unë ndihem shumë mirë dhe shumë i vlerësuar nga i gjithë stafi. Unë veten e kam parë pozitivisht deri më tani, por shpresoj që të bëj më mirë sërish në të ardhmen.
E ardhmja? Me ndihmën e Zotit shpresoj të shkoj sa më lart. Normalisht, me shumë punë dhe përkushtim, besoj se do të arrij atje ku duhet. Synimet e mia janë që në të ardhmen të vesh fanellën e ekipit të parë të Vllaznisë.
Babai dhe vëllai portierë? Normalisht, ata janë motivimi im kryesor, por padyshim babai im nuk hesht kurrë duke më këshilluar dhe duke më ndenjur afër në çdo moment. Këshillat e tij që më jep janë që me punë, përkushtim, rrespekt dhe disiplinë të shkoj sa më lart që të jetë e mundur. Poashtu, këshilla kryesore është të mos harroj njerëzit që më rrethojnë dhe lutem për babain tim që të jetë sa më gjatë në sport, sepse ai është motivimi im kryesor. Poashtu, e njëjta gjë edhe për vëllain tim, Alevion që është portier i Vllaznia U-15.
Së fundmi, një falënderim kam për trajnerët e mi, për trajnerin e Kombëtares që pati besimin tek unë, profesor Haris Dalipin dhe profesor Elis Legatën. Poashtu, në veçanti trajnerin e portierëve Elis Dervishaj që punon me shumë përkushtim me mua”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, portieri i Vllaznia U-14, Besardo Ndoj.
Maringlen ZHIVANI