Vllaznia u-19 mori fitoren e rradhës në kampionat. Kuqeblutë e vegjël të drejtuar nga një figurë e njohur si Vioresin Sinani, fituan në shifrat 3-0 kundër Lushnjes. Një prej protagonistëve të ndeshjes ku shënoi edhe një gol ishte Flori Spahija. Mbrojtësi shtarlart në intervistë për “Shkodra Sport” flet për fitoren e skuadrës, golin dhe objektivat e së tashmes, por edhe ato të së ardhmes.


-Fillimisht urime për golin. Ishte me të vërtetë spektakolar, e tentuar në stërvitje.

Faleminderit për komplimentin. Mund të them se nuk është hera e parë që shënoj gola të tillë. Patjetër që këto gjëra i provojmë që në stërvitje dhe kështu vendosa ta tentoj edhe në ndeshje. Për fat të mirë shkoi në rrjetë.


-Mos donte ta godiste shoku yt , Paulo Pjeshka goditjen e dënimit duke qenë se edhe ai është një mëngjarash si ti ?

(Qesh), u morëm vesh me Pjeshkën. Ai do godasë herën tjetër. Pastaj ai shënoi dy gola pas meje kështu që nuk e kishte mendjen tek goditja e dënimit. (qesh).,


-Një fitore 3-0 kundër Lushnjes që iu mban në vendin e parë me objektivin e vetëm titullin kampion apo jo ?

Ishte një fitore e rëndësishme dhe që na bën të ecim përpara. Objektivi është titulli kampion, por ne po i marrim ndeshjet një e nga një duke mos nënvlerësuar askënd.

-Si është të jesh nën urdhërat e një legjende të futbollit shqiptar si Vioresin Sinani?

Është diçka që të jep më tepër motivim dhe më përgjegjësi. Një figurë e tillë është një shembull për gjithë futbollistët e rinj shkodranë.


-Së shpejti Spahija në ekipin e parë?

Unë kam qenë pjesë e skuadrës së parë në disa seanca stërvitore. Po përgatitem sa më mirë që kur të vijë dita, unë të jem gati. Normalishit pasi ta mbyllësh me moshat, synimi është ekipi i parë i Vllaznisë.

-Objektivi i së ardhmes?

Siç e thashë ekipi i parë i Vllaznisë është ëndrra e të gjithëve dhe unë nuk bëj përjashtim. Ti marr hapat një e nga një e pastaj së ardhmes nuk i dihet.

Endri ÇINARI