Vllaznia e volejbollit të femrave ka mbyllur pak ditë më parë sezonin, duke humbur ndaj Partizanit në dy ndeshjet gjysëmfinale të play-offit. Vajzat kuqeblu e kanë arritur objektivin e tyre, i cili ka qenë për të hyrë edhe sivjet në mes katër ekipeve më të mira të kampionatit dhe tashmë gjithçka ka përfunduar për këtë edicion.

Trajneri i Vllaznisë në volejboll për femra, Dorjan Tafa, në një intervistë për “Shkodra Sport” shprehet se faza e dytë e këtij kampionati ishte mjaft pozitive, ndërsa theksoi se eksperienca ka ndikuar shumë, ç’ka tek ekipi kuqeblu ka munguar disi në këtë sezon.

Sa i takon të ardhmes, tekniku i vajzave kuqeblu tha se do të vijojë të jetë sërish si trajner i këtij ekipi. Më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e trajnerit të Vllaznisë, Dorjan Tafa, dhënë për “Shkodra Sport”, gazetarit Maringlen Zhivani.


-Profesor Tafa, Vllaznia në volejboll për femra e mbylli kampionatin e saj, duke u eleminuar nga një kundërshtar i fortë siç ishte Partizani, si ishte ky kampionat në këndvështrimin tuaj, si e gjykoni?

Ishte i pritshëm eleminimi nga Partizani për arsyet që kemi përmendur edhe në intervistat e tjera. Në fakt, pavarësisht disnivelit, vajzat tona bënë një lojë dinjitoze, sidomos në setin e parë dhe të tretë. Faza e dytë e këtij kampionati mund të them se ishte mjaft pozitive si në aspektin sportive, poashtu edhe në arritjen e objektivit. Me vajzat e reja arritëm të kapim vendin e katërt, si edhe u rritëm mjaft teknikisht dhe moralisht. Mund të them se patëm të njëjtat rezultate si në fazën e parë, ku në përbërjen e ekipit ishin edhe tre volejbolliste profesioniste të huaja. Për më tepër, krijuam bazat e ekipit të të rriturave, gjë që nuk e kishim vitin e kaluar.


-Vllaznia e mbylli kampionatin e saj dhe objektivi u realizua, besoj i kënaqur apo jo?

Me arritjen e objektivit jam shumë i kënaqur, por ajo që më intereson më shumë është krijimi i një grupi solid, bashkëpunues dhe me dashuri për fanellën kuqeblu.


-Megjithatë duket se perspektiva e Vllaznisë për të ardhmen është tepër-tepër pozitive apo jo? Si e gjykoni ju?

E ardhmja e ekipit të të rriturave, si edhe ekipeve zinxhirë duket shumë pozitive, sepse në këto dy vjet po arrijmë të krijojmë bazat për formacionet rrespektive. Këtë e tregon edhe përfaqësimi dinjitoz në kampionatet e moshave, si përfaqësimi i vajzave të Vllaznisë në ekipet kombëtare. Në vitin e kaluar kishim pjesëmarrjen e katër vajzave në Kombëtaren e U-17 dhe katër vajzave në atë të U-19. Unë mendoj se edhe në grumbullimin që do bëhet së afërmi për U-21, nga ekipi ynë do jenë besoj minimalisht katër vajza.


-Për sezonin e ardhshëm mund të ketë afrime apo rikthime të volejbollisteve shkodrane, jeni në dijeni?

Për sezonin e ardhshëm shpresojmë të kemi rikthime të vajzave shkodrane që militojnë në ekipet e tjera vendase dhe të huaja. Po ashtu, do fuqizojmë ekipin e parë me vajza të talentuara nga ekipet zinxhir. Për sa i përket afrimeve, mund të them se “porta” e Vllaznisë është e hapur për këdo që mendon se duhet kontribuar. Vllaznia nuk është e imja apo e Bashkisë, por është e gjithë shkodranëve dhe duhet të kontribuojmë të gjithë për ta çuar këtë sport aty ku e meriton.


-Profesor Tafa, në vazhdim do të vijoni të jeni ju nën drejtimin e Vllaznisë apo mund të ketë një rikthim të trajnerit Besnik Lisha?

Unë do vazhdoj të bëj punën time si trajner i këtyre vajzave të mrekullueshme që dita-ditës po përparojnë çdo ditë e më shumë.


-E fundit për ta mbyllur Tafa, si ka qenë bashkëpunimi me presidentin Florian Zekja këtë periudhë kohore dhe a do ju vinte keq në rast se do të rikthehej SK Vllaznia dhe shoqata do të shkrihej?

Bashkëpunimi me presidentin Florian Zekja ka qenë shumë korrekt dhe bashkëpunues. Më ka mbështetur mua, si edhe ekipin në çdo moment, si me prezencën e tij, po ashtu edhe financiarisht si në momentet e bukura, poashtu edhe në vështirësi. Bashkë kemi arritur disa standarte në kushtet stërvitore, ku kam parasysh fazat përgatitore që më përpara nuk ishte e mundur të realizoheshin. Sa i përket lajmeve të shpërndara nga mediat për një organizim ndryshe, mendoj se nuk është e mundur juridikisht, me aq njohuri dhe informacion që kam, por edhe do ishte një hap prapa në menaxhimin e sporteve në qytetin e Shkodrës. E fundit, ju falënderoj për interesin e përhershëm të Shkodra Sport.
Maringlen ZHIVANI