I rritur tek Akademia Vllaznia, Uheid Hoxha preferoi që sezonin e tij të parë me të rriturit ta kalonte tek Besa e Kavajës duke shpresuar që të kishte më shumë hapësirë dhe mundësi aktivizimi. Gjërat në fakt nuk i kanë shkuar krejt ashtu siç e kishte menduar dhe për më tepër, skuadra me shumë mundësi nuk do të ngjitet në Superligë.

Kjo ka bërë që edhe kontrata e tij me kavajasit rrjedhimisht të ndërpritet, por vetë mesfushori ende nuk e ka vendosur këtë gjë. Ka luajtur në 18 ndeshje me këtë skuadër, në total 708 minuta dhe tashmë po sheh për të ardhmen. Dëshira e tij është të luajë në Superligë dhe pse jo edhe tek Vllaznia.

Por për momentin nuk ka asgjë konkrete sepse ende asnjë skuadër nuk ka nisur të mendojë për merkaton. Lojtari që ende nuk i ka mbushur 20 vjeç, dallohet për aftësitë e tij organizative dhe për rrjedhojë mund të jetë një aset i mirë për çdo ekip që dëshiron të besojë tek e ardhmja. Hoxha ka pranuar të flasë për “SHkodra Sport” në lidhje me këtë sezon të kaluar tek Besa, por edhe për atë se çfarë e pret. Ja si shprehet ai:

– Uheid, a ka qenë një sezon pozitiv për ju ky që po mbyllni me Besën?

– Të them të drejtën pozitiv ishte deri diku, por jo dhe aq mirë sa e kisha menduar. Kushtet nuk ishin ashtu siç mendoja, e po ashtu edhe ekipi nuk eci sipas pritshmërisë, por besoj se më ka shërbyer shumë për të ardhmen.


– Të vjen keq që skuadra me shumë mundësi nuk po arrin objektivin për të qenë në Superligë?

– Normalisht që me vjen keq, por duhen kushte për këtë gjë. E para, nuk kishim një stadium tonin dhe çdo ndeshje e kemi bërë jashtë Kavajës, çka e bëri edhe më të vështirë arritjen e objektivit.

– Do të vazhdosh të luash me Besën edhe sezonin e ardhshëm?

– Mua më mbaron kontrata sepse kam patur një pikë në të, që në qoftë se ekipi nuk ngjitet në Superiore, ajo do të ndërpritej. Tani do të shoh opsionet më të mira dhe do të vendos, nëse do të iki nga Besa apo do të qëndroj sërish këtu.


– Ku mund t’iu shohim sezonin e ardhshëm, ke ende ndonjë ide apo është herët?

– Në Superligë besoj, por emrin e ekipit se di akoma.

– Ndonjë mundësi rikthimi tek Vllaznia…

– Pse jo.