Kënga e Vllaznisë kampione është bërë shumë e famshme prej vitesh. E kënduar nga Mjeshtri i Madh Bujar Qamili, ajo ka marrë një jehonë të madhe dhe interpretohet në çdo eveniment që kanë shkodranët, ndonëse skuadra e tyre e zemrës për momentin nuk po kalon një moment të mirë.

Shumëkush e konsideron si një këngë të Bujar Qamilit, por padiskutim që meritë të madhe për të, ka edhe njeriu që ka shkruar testin e saj, i ndjeri Isa Teli. Poeti popullor dhe bejtaxhia i njohur ka qenë edhe një tifoz i zjarrtë i Vllaznisë. Për më tepër që i vëllai i tij- Jonuz Teli, ka mbrojtur portën e kësaj skuadre në vitet ’60.

Në vitin 1998 kur Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë, ish- presidenti Myftar Çela i kërkoi mjeshtrit Qamili një këngë. Ky i fundit, bashkëpunoi me Isa Telin për tekstin dhe sëbashku nxorrën një këngë shumë të bukur. Protagonistë në teksin e saj ishin të gjithë futbollistët, trajneri Dedja dhe presidenti Çela.

Tre vjet më vonë, ekipi shkodran u shpall sërish kampion, por kuptohet që emrat e këtij suksesi nuk ishin të njëjtit. Për këtë arsye, u ra dakord për një këngë tjetër pa emra sportistësh, trajnerësh dhe drejtuesish. Kjo sepse ajo duhej t’i rezistonte kohës dhe të shërbenti si himn.

Isa Teli sërish nuk hezitoi të shkruante vargje të tjera dhe kënga është ende sot prezente edhe pas 17 vitesh. Dhe ka për të qëndruar edhe shumë vite të tjera sepse fjalët e zgjedhur kanë qenë shumë të goditura.

N’Shkodrën tonë ka ra një dritë
Gëzim ma të madh nuk ka për ne
Po ju këndon Bujar Qamili
Për Vllazninë një kangë të re

Spektatorët me qindra e mijëra
Gjithë stadiumi po ushton
Brohorasin “Rroftë Vllaznia”
Përsëri u shpall kampion

Vllazni, Vllaznia, moj Vllaznia jonë
Vllazni, Vllazni, ti je zemra jonë
Ne këtë kangë të gjithë ta këndojmë
Vllaznisë tonë që u shpall kampion

Një fitore e bukur fort
Gjithë Shqipëria na uron
Një përshendetje spektatorit
Që ndihmoi me dal kampion

Plot me kangë e me lodër
u mbush zemra nga kënaqësia
Dasëm të madhe kena në Shkodër
Kanë ardh miq nga e gjithë Shqipëria

Refreni
Vllazni, Vllaznia, moj Vllaznia jonë
Vllazni, Vllazni, ti je zemra jonë
Ne këtë kangë të gjithë ta këndojmë
Vllaznisë tonë që u shpall kampion

© shkodrasport.com