Është fakt tashmë që Luixhi di Biaxho, ish-lojtari i Interit dhe Italisë, ndoqi nga afër ndeshjen miqësore të Dinamos në Korçë, i shoqëruar nga Igli Tare. Me zhvillimet e fundit në kampin blu, është logjike të mendohet se ish-trajneri i Italisë U-21 ka qenë aty si një i interesuar direkt.

Sipas “Panorama Sport” Di Biaxho mund të angazhohet në stafin e Dinamos dhe gjasat janë të mëdha që të jetë trajneri i ri i ekipit. Ndoshta fillimisht ai mund të nisë punën si drejtor teknik i këtij klubi, e më pas në momentin që të jetë bindur për ekipin dhe kampionatit, të bëhet trajner i parë.

Zyrtarisht nuk ka ende konfirmime nga klubi për pozicionin e tij, por me projektin e ri, Dinamos i duhet një staf drejtues sa më i kompletuar dhe sa më profesionist. Gjithsesi, gjasat më të mëdha janë të mëdha që Di Biaxho të jetë trajneri i ri i bluve në vazhdimësi.

Ai ka drejtuar Italinë U-21 në vitet 2013-2019, ndërsa për herë të fundit ka qenë trajner i SPALit në Serinë A në 2020-ën. Ajo që bënte përshtypje me italianin ishte fakti se gjatë gjithë kohës mbante shënime për miqësoren Skënderbeu-Dinamo.

Gjërat po lëvizin me shpejtësi te kryeqytetasit, ndërkohë që dje në bisedën për “Panorama Sport”, presidenti i bluve, Adrian Bardhi, nuk ka dashur të komentojë praninë e Igli Tares dhe Luixhi di Biaxhos në stadiumin e Korçës.

Pritet që edhe ish-drejtori sportiv i Lacios të jetë pjesë e projektit madhor, pikërisht në atë pozicion që ai e ka bërë me shumë sukses në Itali.

Nga sa mund të kuptohet, për Dinamon po hapet një cikël i ri, jo vetëm sa i takon emrit, por edhe ambicieve që do të kenë drejtuesit pas bashkëpunimit që do të kenë me klubin e madh anglez, Mançester Siti.