Liga 1 franceze uli “qepenin”, duke dhënë verdiktet e saj edhe pse nuk janë zhvilluar të gjitha ndeshjet për shkak të Koronavirusit. Vendimi për të ndaluar kampionatin përfundimisht për shkak të pandemisë i dha mundësinë PSG të shpallet kampion.

Mes atyre që “do të mburren” me këtë titull është edhe Jese Rodriges. Ish “xhevahiri” i Real Madridit, i cili në vitin 2016 u transferua te PSG, nuk arriti ta tregonte veten (në katër sezonet e fundit ai ka shëtitur Europën i huazuar), gjatë të kampionatit të fundit luajti në vetëm një takim.

Ai u aktivizua në minutën e 90-të një sfide të vlefshme për javën e katërt, e fituar nga parizienët 2-0 në shtëpinë e Metz. Kaq i mjaftoi që ai ta ketë emrin mes kampionëve Francës.

Rregullat e LFP-së përcaktojnë se çdo lojtar i skuadrës që ka luajtur për të paktën 1 minutë, duhet në të gjitha aspektet të konsiderohet kampion. Dy ditë pas atij aktivizimi Jese u transferua në huazim te Sportingu i Lisbonës, klub me të cilin ai mbylli marrëdhëniet e tij më 23 mars.