Zëvendëspresidenti i FIFA-s, Viktor Montaljani, në një intervistë të dhënë së fundmi është shprehur se për herë të parë në histori të futbollit modern, nuk do të jetë më ai që vendos, por do të jenë përgjegjësit e shëndetësisë.

“Po ndjekim debatin që po bëhet në Itali në lidhje me rifillimin e Serie A. Jemi të ndërgjegjshëm që këto vendime duhen marrë brenda shtëpisë. Për herë të parë në historinë e futbollit modern, nuk është më ai që vendos në do luhet apo jo, por përgjegjësit e shëndetësisë. Ne ndjekim gjendjen dhe ndihmojnë ku të mundemi.

Sa i takon vendimmarrjes ka tre nivele: ai i brendshëm për kampionatet, ai i konfederatave për kupat dhe ai ndërkombëtar për Kombëtaret. Gjendja është e koklavitur sepse vendimet merren për ditë dhe çdo javë.”, u shpreh Montaljani për “Radio Sportiva”.

Ndërkaq ai u shpreh se në Europë mund të bëhet si në kontinentin amerikan, që luhet sipas vitit diellor. “Do të kishim filluar të mendonim se si ta ndreqnim kalendarin që prej vitit 2024, ndërsa tani me këtë krizë duhen përgjigje të shpejta. Është mundësia për të reformuar futbollin në të gjithë botën për të përmirësuar gjërat në nivel dhe në data.

Është një diskutim që duhet bërë, sidomos me konfederatat dhe federatat. E kemi këtë mundësi sepse botërori i vitit 2022 në Katar do të luhet në nëntor/dhjetor dhe mund të jetë një ide.

Në kontinentin amerikan luhet sipas vitit diellor dhe kjo zgjidhje mund të vlejë dhe për Europën dhe Afrikën. Duhet diskutuar në nivel kombëtar dhe kontinental, por nuk është një ide që duhet mënjanuar. Mund të jetë një zgjidhje për dy vitet e ardhshme dhe për këtë Kupë Bote në dimër.”, përfundoi zëvendëspresidenti i FIFA-s.