Kuqeblutë e bënë gabimin e parë në kampionat dhe prej tij duhet të kenë nxjerë mësimet e duhura. Kukësi tashmë është lënë pas tek Vllaznia dhe të gjithë janë fokusuar tek takimi i rradhës me Bylisin. Duke folur për “Shkodra Sport”, ish- futbollisti kuqeblu Edmond Doçi do të fliste me fjalë të mira për skuadrën e këtij sezoni.

“Për Vllazninë e sivjetme mund të flasim vetëm fjalë të mira sepse po zhvillon një kampionat të mirë. Me përjashtim të ndeshjes së fundit ndaj Kukësit, në të tjerat skuadra ka bërë shumë mirë. Edhe ndaj Kukësit nuk mendoj se Vllaznia humbi ngaqë kundërshtari ishte mirë.

Ndoshta ndikoi paksa edhe euforia, shënimi i golit të parë shumë shpejt e gjëra të tjera. Gabimi në rastin e golit të parë në vendosjen e skuadrës, por edhe gabimet individuale në dy golat e tjerë ndikuan.

Megjithatë nuk duhet të merremi shumë me humbjen e fundit. Trajneri dhe stafi i tij kanë meritën se kanë ndërtuar një ekip shumë të mirë, e kanë bërë Vllazninë të luajë krejt ndryshe.

Dua të them se skuadra shkodrane do ta ketë shumë të vështirë të hyjë në vallen e ekipeve pretendente që në sezonin e parë. Pas disa vitesh larg tyre, do të duhet ta fillojë ngjitjen ngadalë derisa dhe të tjerët ta kuptojnë se tek Vllaznia e kanë marrë shumë seriozisht.

Tashmë e gjithë vëmendja duhet të jetë e përqendruar tek sfida e rradhës me Bylisin. Vllaznia kurrsesi nuk duhet ta marrë të lehtë këtë ndeshje. Duhet ta vlerësojnë maksimalisht dhe të marrë fitoren për të ecur në rrugën e saj të pretendimeve”- ka thënë ish-futbollisti i kësaj skuadre Edmond Doçi./SHKODRA-SPORT.COM/