Egoja për të përmbushur pasionet e ndryshme, nganjëherë kthehet në shtysë për të arritur diku dhe për të mos hequr dorë.

Kjo ka ndodhur me ish-futbollistin shkodran Frederik Hila, i cili kohët e fundit i është “përveshur” trajningut të moshave, konkretisht pranë akademise “BASANIA F.C” ku po njeh dhe një ecuri pozitive me një nga grupmoshat e këtij Klubi.

Hila në të shkuaren si futbollist ka luajtur me ekipe si Ada, Veleçiku apo dhe në Kosovë me Lirinë e Prizrenit.

Për shkaqe të ndryshme karriera futbollistike ju mbyll shpejt, por kjo nuk e ka penguar 27 vjeçarin të gjejë një mënyrë tjetër për të qënë sërish i përfshirë në këtë sport.

Këtë herë jo si protagonist në fushë por në pankinë, ku prej pak muajsh po drejton ekipin U-13 të kësaj Akademie dhe është një detyrë që e ka nisur me shumë dëshirë.

Nga ana tjetër, Hila po ndjek dhe kurset e Federatës Shqiptare të Futbollit për liçensimin si trajner dhe ky është vetëm fillimi pasi ëndrrat e tij janë shumë të mëdha.
Uesli HILI