E mbani mend Kamer Qakën? Ishte një prej shumë zbulimeve dhe afrimeve të Panuçit te Kombëtarja. Megjithatë, karriera e këtij mesfushori që kulmoi në Rumani, ka marrë tatëpjetën.

Më parë, ka qenë edhe pjesë e Kraiovës, ndërsa së fundmi ka lënë përshtypjen e tij për ndeshjen me Vllazninë. Futbollisti nga Peja “na tradhton”, duke i uruar kualifikimin ekipit rumun dhe jo atij shkodran, ndërsa shprehet se kushtet për futbollistët mes dy kampionateve, janë thuajse njësoj.

Aktualisht pjesë e një ekipi në Hungari, Kamer Qaka ka thënë se nuk dëshiron të veçojë dy futbollistë nga Vllaznia, pasi do të mërzitej pjesa tjetër. Qaka u shpreh se Kraiova është favorite për të fituar, ndërsa theksoi se ekipi rumun ka emër më të madh se Vllaznia.

“Kraiova do të përballet me një ekip nga Shqipëria, Steaua mund të luajë ndaj Partizanit. Vllaznia është ekip i mirë, por mendoj se Kraiova është favorit për të fituar. Ata kanë futbollistë më të mirë dhe ekip me emër më të madh se Vllaznia. Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë. Futbolli nuk parashikohet.

Ka dallime mes skuadrave të mëdha nga Shqipëria dhe Rumania. Shqipëria ka nisur tashmë ndërtimin e stadiumeve moderne dhe investimin në infrastrukturë. Sipas meje, kushtet janë pothuajse të njëjta, por tifozët janë më të shumtë në Rumani. Në klubet më të mëdha, në Rumani ka kushte shumë të mira. Ekipet si Universitatea Kraiova dhe FCSB, iu ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme.

Vllaznia ka dy-tre futbollistë shumë të mirë, të cilët mund të krijojnë probleme, nëse i lini hapësirë. Ata do të përpiqen të luajnë mirë kundër Kraiovës. Si çdo skuadër në Shqipëri, edhe Vllaznia do të mundohet të ketë një zotërim më të madh të topit gjatë ndeshjes. Ata nuk do të luajnë me topa të gjatë. Siç e thashë edhe më parë, mendoj se Kraiova do ta fitojë këtë ndeshje.

Ka disa futbollistë të mirë te Vllaznia. Unë i njoh, por nëse them vetëm tre, pjesa tjetër do të zemërohej me mua. Vllaznia do të luajë pa presion, nuk ka se çfarë humbet. Ata do të luajnë me shpresën se Kraiova do të trembet dhe kthehet në mbrojtje. Shkodranët do të përpiqen që të luajnë futboll se nuk kanë se çfarë humbin.

Vllaznia është thuajse në të njëjtin nivel si Laçi. Kraiova ka tifozëri më të madhe se Vllaznia, por në Shkodër do të vijnë shumë tifozë për të parë ndeshjen. Jam i ndarë mes dy ekipeve, por kam luajtur te Kraiova dhe shpresoj që të kualifikohen”, tha gjatë prononcimit të tij për mediat rumune, ish-mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Kamer Qaka.
Maringlen ZHIVANI