Skënderbeu nuk ka të ndalur në merkaton e verës.Uendi Vecaj është afrimi më i ri i korçarëve për sezonin e ardhshëm. Ashtu siç pritej, bardhekuqtë kanë bërë lëvizjen e radhës në ditët e fundit për t’i dhënë Migen Memellit një ekip shumë herë më të kompletuar për arritjen e objektivit final dhe plotësimin e grupit.

Pas portës duket se edhe reparti i avancuar tashmë është më i plotë dhe i kompletuar në të gjitha pozicionet.Në kushte të tilla, për momentin Memelli mund të mbështetet te pesë sulmuesit që ka në grup duke filluar nga Pusi, Lika, Abubakar, Beçka dhe së fundi Vecaj, duke pritur Ousu dhe rikuperimin e Nikajt.

Uendi Vecaj, nga sa raportojnë burimet në klub për “Panorama Sport”, pritet të bashkohet sot me ekipin ndërsa marrëveshja mes palëve është arritur tashmë. Shkodrani është një lojtar që e njeh mirë futbollin shqiptar.

Ka luajtur te Vllaznia ku është formuar si lojtar për të provuar aventura të tjera te Teuta dhe Laçi në Superiore.25- vjeçari ka shijuar edhe një aventurë të shkurtër te Dinamo e Zagrebit për t’u rikthyer më pas në Shqipëri pas një sezoni.Në sezonin e fundit, ai ka qenë pjesë e Vushtrisë në kampionatin kosovar.

Në sezonin 2021-2022, mesfushori i krahut ka qenë pjesë e klubit kosovar, Vushtria, që militonte në Ligën e Parë dhe luajti ndeshje “play off” për t’u ngjitur në Superiore.Por Vecaj e njeh mirë edhe garën në Kategorinë e Parë, pasi para kalimit te Vushtria ka qenë pjesë e Burrelit në Kategorinë e Parë.Në të tilla kushte, Skënderbeu kompleton një repart, teksa merkato nuk mbyllet këtu.

Bardhekuqtë janë në pritje të dy afrikanëve dhe dy goditjeve të tjera që Takaj duket se i ka thuajse të mbyllura.Fakt mbetet që Memelli do të ketë një grup të plotë lojtarësh për të tentuar objektivin e radhës që është rikthimi në elitë.

Pas miqësores së fundit me Vllazninë trajneri Migen Memeli në prononcimin e dhënë për gazetën shprehu dëshirat dhe kërkesat e tij për pjesën e mbetur të merkatos së Skënderbeut.

“Aktualisht kemi të gatshëm vetëm 15 lojtarë, bashkë me portierët, kështu që do të përpiqemi që deri në fund të bëjmë 5-6 afrime të tjera, për të plotësuar skuadrën, në mënyrë që të jemi sa më solidë në Kategorinë e Parë.Besoj se nga fundi i javës që vjen skuadra do të jetë gati”, deklaroi trajneri i Skënderbeut.