Sezoni i ri i kampionatit shqiptar do startojë ditën e nesërme me duelin Kukësi-Tirana. Gjithçka do hapet mes kampionëve në fuqi dhe verilindorëve, që këtë sezon duan të kthehen në nivelet e larta. Por për tifozët shkodranë, gjithçka nis kur luan Vllaznia. Dhe shkodranët do debutojnë të shtunën në Superligë.

Ndeshja e javës së parë i shikon të besuarit e Joses në Durrës kundër Erzenit. Një sfidë në letër e lehtë duke parë vështirësitë që kanë pasur shijakasit, por që kurrsesi nuk mund të nënvlerësohet. Doza e euforisë duhet të jenë sa më të ulëta në kampin shkodran, e sidomos në fillimin e kampionatit, ku një strat i mirë do ishte i rëndësishëm për ecurinë e Superligës.

Vllaznia në edicionin e shkuar nëse kishte shifra negative vetëm ndaj Tiranës nga 5 ekipet e para, e njëjta gjë nuk mund të thuhej për pjesën e poshtme të tabelës. Skuadra si Egnatia, Kastrioti apo edhe Dinamo që u rrëzua nga Kategoria Superiore, ishin ekipe që i morën shumë pikë kuqebluve. Kjo duke komplikuar edhe objektivat disi në fundin e sezonit.

E tashmë për të pretenduar gjëra të mëdha në kampionat, ndeshjet në letër të cilësuara të “lehta”, nuk duhen toleruar. Qoftë këtu si brenda në “Loro Boriçi” apo edhe në transfertë. Ku edhe transfertat kanë qenë një pikë jo shumë e fortë e skuadrës në sezonin 2021-22.
Endri ÇINARI