Ish- futbollisti i Vllaznise Viktor da Silva, lojtari më i përfolur në merkaton e kësaj vere për Partizanin, u vesh i kuq dhe u ngjit në fushën e stadiumit të të kuqve për herë të parë.Braziliani pritet të zyrtarizohet shpejt si lojtar i Partizanit.Paraditen e djeshme 27-vjeçari mbërriti në Tiranë dhe u akomodua në ambientet pritëse në pronësi të klubit.

MARRËVESHJA – Siç dihet, Da Silva ishte lojtar i Olimpiakos Nikosias. Ai ishte federuar me qipriotët dhe ishte zyrtarisht lojtar i tyre, pasi Partizani vendosi të hiqte dorë fillimisht nga ai.Gjithsesi, me largimin e Dritan Mehmetit nga stoli, situata ndryshoi.

Ish-trajneri i të kuqve nuk e pëlqente profilin e Da Silvës dhe ishte kundër transferimit të tij, me klubin që vendosi të dëgjojë opinionin e trajnerit dhe ta lërë të shkojë brazilianin, pavarësisht se kishin një marrëveshje verbale së bashku.Gjithsesi, pas ardhjes së Kolelës, Da Silva u kthye në “guston” e të kuqve dhe nisën negociatat për ta sjellë në Tiranë.

Partizani zhvilloi negociata shumë të shpejta me klubin e Olimpiakos Nikosias dhe në tratativa e ndihmoi shumë fakti që Da Silva dëshironte dhe këmbëngulte të luante me të kuqtë.

Në fund klubet arritën dakordësinë për fantazistin, teksa zyrtarizimi do të ndodhë në momentin kur Olimpianos Nikosia të ketë plotësuar gjithë dokumentacionin e largimit të lojtarit.

PAGA – Ky element nuk ka qenë në asnjë moment një problem mes Partizanit dhe Da Silvës.Që në nisje të negociatave në fillim të kësaj vere palët kishin akordin për të gjitha detajet, por ishin probleme të tjera që pengonin firmën. “Panorama Sport” mëson se paga e lojtarit mund të shkojë rreth 6 mijë euro në muaj.Megjithatë, zyrtarisht nga klubi nuk konfirmohet diçka e tillë.

Te Partizani këtë sezon janë munduar të krijojnë një ekuilbër sa u përket rrogave, me lojtarët që kanë pak diferenca nga njëri-tjetri.Da Silva pritet të firmosë kontratë për dy sezone me klubin e kuq.

PRITJA – Atij iu rezervua një pritje shumë e ngrohtë nga stafi dhe shokët e skuadrës. 27-vjeçari u ngjit në fushë i fundit, teksa me të vënë këmbën në terrenin e blertë, skuadra i rezervoi duartrokitje dhe ovacione.Më pas Kolela e mori të veçuar dhe së bashku zhvilluan një bisedë, e cila nuk zgjati shumë.

Pas bisedës dhe këshillave të trajnerit, Da Silvën e priti “tuneli” i ëmbël i mikpritjes me “pjatë” kryesore, shpullat.Të gjithë lojtarët pa përjashtim nuk hezituan t’i japin nga një shuplakë brazilianit, që u mundua ta bëjë sa më të shkurtër këtë vuajtje, duke dalë sa më shpejt nga “tuneli”.