Thomas Strakosha ka qenë mes të “kryqëzuarve” dje pas ndeshjes së humbur nga Lacio me shifrat 3-2 përballë Atalantës. Gardiani kuqezi gaboi një dalje në minutat e fundit dhe ajo solli golin e fitores për bergamaskët, pasi i la portën bosh Palominos.

Në rrjetet sociale nuk kanë munguar kritikat nga tifozët, por ish-portieri i Lacios, Fernando Orsi, i ka dale në mbrojtje Strakoshës.

“Ne portierëve na ndodh shpesh. Ai ka gabuar që ka bërë një hap para dhe pastaj ishte shumë jashtë portës dhe u kalua nga topi. Për më tepër, këndi i harkimit nuk ishte i pandalshëm, ai thjesht llogariti keq trajektoren, nuk kishte kohën për të zgjatur krahun dhe mbeti me duart poshtë.

Pastaj Palomino mundi të kërcente thuajse i pashqetësuar”, shpjegoi Orsi i cili është i bindur se përtej këtij gabimi, lufta për titullin mbetet e hapur.

“Mbetet e hapur dhe Lacio mund t’ia dalë përsëri. Duhet t’i rekuperojë një pikë Juventusit në ndeshjet e ardhshme dhe pastaj është ndeshja direkte të cilën duhet ta fitojë. Në pjesën e parë, Milinkoviç dhe të tjerët kanë luajtur shumë mirë, në pjesën e dytë doli në pah Atalanta që fitoi me meritë.

Nëse do të ishte mbyllur 2-2 do të flisnim për një Lacio që di të vuajë dhe që siguroi një pikë të vlefshme”, theksoi ish-portieri i Lacios në vitet ’80-’90. /vipsport/