FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORE'Klasikja' në prag, Vllaznia përqendrohet në prapavijë

‘Klasikja’ në prag, Vllaznia përqendrohet në prapavijë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Një prej reparteve ku trajneri i Vllaznisë, Csaba Lazslo, duket se ka përqendruar vëmendjen më të madhe gjatë ditëve të fundit është prapavija. Gabimet e përsëritura në shtatë javët e para të kampionatit kanë bërë që reparti defensiv të kthehet në një prej shqetësimeve kryesore të teknikut hungarez, i cili kërkon më shumë siguri dhe përqendrim nga futbollistët e tij. Problemet u shfaqën sërish edhe në humbjen 3-1 ndaj Egnatias, një ndeshje ku kuqeblutë nuk arritën të shmangnin gabimet që ndikuan drejtpërdrejt në rezultat.

Pikërisht për këtë arsye, 62-vjeçari ka punuar në mënyrë të veçantë me vendosjen taktike të skuadrës në fazën mbrojtëse, duke synuar të përmirësojë koordinimin mes lojtarëve dhe të shmangë hapësirat që kundërshtarët kanë shfrytëzuar në ndeshjet e deritanishme. Lazslo ka pasur rezervat e tij për mënyrën se si është mbrojtur skuadra, ndërsa përballja me Tiranën shihet si një tjetër provë e rëndësishme për të kuptuar nëse puna e zhvilluar në stërvitje do të japë efektin e dëshiruar.

Një prej çështjeve që kërkon zgjidhje është edhe përbërja e repartit të prapavijës. Trajneri hungarez duket se nuk është plotësisht i bindur nga alternativat që ka aktualisht në dispozicion për qendrën e mbrojtjes dhe kërkon futbollistë që përputhen më mirë me idetë e tij taktike. Kjo është një prej arsyeve që e ka shtyrë të shqyrtojë edhe zgjidhje të tjera brenda grupit, duke eksperimentuar me pozicionet e disa lojtarëve për të gjetur kombinimin më të përshtatshëm.

Në këtë aspekt, Musta dhe Gurishta janë dy prej futbollistëve që mund të përshtaten në qendër të mbrojtjes, pavarësisht se janë aktivizuar në krahë gjatë karrierës së tyre. Këto alternativa i japin Lazslos mundësi për të eksperimentuar me vendosjen e skuadrës, por mbetet për t’u parë nëse një zgjidhje e tillë do të jetë e qëndrueshme në vazhdimësi. Trajneri kërkon një repart më të konsoliduar, ku gabimet individuale të mos përsëriten dhe ku mbrojtësit të kenë një koordinim më të mirë me pjesën tjetër të skuadrës.

Ndërkohë, merkatoja mund të jetë një tjetër mundësi për të ndërhyrë në këtë repart. Lazslo ka shprehur nevojën për përforcime në qendër të mbrojtjes, me profilin e dy qendërmbrojtësve që mund të përshtaten me kërkesat e tij. Megjithatë, deri në një ndërhyrje të mundshme në merkaton e ardhshme, tekniku duhet të gjejë zgjidhjet brenda grupit aktual dhe të përmirësojë sa më shumë organizimin defensiv të kuqebluve.

Statistikat e deritanishme tregojnë qartë se prapavija është një prej pikave ku Vllaznia duhet të reagojë. Në shtatë javët e para të kampionatit, shkodranët kanë arritur ta mbajnë portën të paprekur vetëm një herë, në fitoren 1-0 ndaj Dinamos. Për këtë arsye, klasika me Tiranën do të shërbejë edhe si një test për punën e zhvilluar nga Lazslo gjatë ditëve të fundit. Përtej rëndësisë së tri pikëve, Vllaznia kërkon të tregojë më shumë siguri në prapavijë dhe të hedhë bazat për një vazhdimësi më të mirë të rezultateve.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments