Elhan Kastrati pak nga pak po bëhet një emër mjaft i njohur në Itali. Portieri i cili më parë në karrierën e tij ka luajtur edhe me fanellën e Teutës në Superiore e me përfaqësuesen Shpresa, po tregon vlerat e tij me skuadrën e Çitadelës në Serinë B, duke dhuruar paraqitje mëse pozitive e duke e ndihmuar ekipin që të mbetet në garë për ngjitjen në elitën e futbollit italian.
Këtë fundjavë, Kastrati ishte protagonist kryesor në barazimin 1-1 të skuadrës së tij ndaj Frozinones. Ai arriti që gjatë kësaj ndeshje të priste një penallti kundër Iemelos dhe siç e ka shpjeguar ai, e kishte pritur me padurim këtë moment.
“Kisha një llogari të hapur me Iemelon nga viti i kaluar, kur më kishte shënuar po me penallti. Më erdhi inat atëherë, pasi arriti të më bënte të hidhesha në krahun e kundërt, ndërsa këtë herë e gjeta. Isha i pavendosur deri në momentin e fundit, mendova për penalltinë që gjuajti në play-out kundër Peskarës që ia pritën.
Mendova se mos do ndryshonte krah, por ka gjuajtur gjithmonë në atë vend ndaj bllokova topin. Gjithçka shkoi mirë”, shpjegoi Kastrati se si arriti të bëhej protagonist duke pritur gjuajtjen nga pika e bardhë. /vipsport/