Akuza të rënda nga ish-pjesëtarë të stafit teknik të Feronikelit për Klodian Duron dhe Bedri Grecën. Në një deklaratë të papritur, ish-trajneri i portierëve, Avni Hasani, i larguar nga klubi vetëm pak kohë më parë pas mbërritjes së Duros, nuk ka kursyer akuzat duke insistuar se problemet e Feronikelit lindnin kryesisht nga kjo dyshe.

“Me gjithë respektin për “Tigrat e Zi” dhe të gjithë qytetarët e Drenasit, dua ta sqaroj opinionin se unë jam larguar nga klubi para ndeshjes me Drenicën. E gjitha ndodhi për faktin se lojtari Bedri Greca e ka rrahur duke e gjakosur dhe i shkaktuar lëndime të rënda trupore mirëmbajtësit të stadiumit.

Nuk kam qenë aspak aktor në rrahje, vetëm se kam ndarë dhimbjen me personin e rrahur. Më pas, trajneri Klodian Duro nëpërmjet gazetarit të klubit më ka njoftuar se unë nuk jam më pjesë e klubit. Në vend se të dënohet Greca, u dënova unë, pa arsye”, tha ai për “Zëri”.

“Me ardhjen e trajnerit Duro, është shtuar në klub dhuna psikike, por së fundmi edhe ajo fizike. Me një trajner si Duro, i cili është nën çdo nivel nga ana profesionale ai ka edhe luhatje psikike.

Mund të them me bindje të plotë se tash e tetë vite kurrë te Feronikeli nuk ka punuar një njeri i tillë si Duro. Në ditët në vijim mund të zbuloj edhe më shumë”, ishin deklaratat e rënda të Hasanit. /vipsport/