Përsëri lëvizjet të papritura në shtangën shqiptare. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica, ka vendosur të japë dorëheqjen nga posti i tij dhe të mos rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme që do të zhvillohen më datë 14 nëntor.

“Të Nderuar Miq, Sportistë dhe bashkëpunëtorë. Në cilësinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, dua tju njoftoj se për arsye personale jap dorëheqjen nga pozicioni i Presidentit dhe kandidatura ime për pozicionin e Presidentit në zgjedhjet e dt. 14.11.2020.

Këtë dorëheqje e jap në mënyrë të parevokueshme. Dëshiroj të falenderoj të gjithë mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e mi për të cilët kam një vlerësim maksimal dhe besoj se do tia dalin në çdo arritje sportive.

Me Respekt, Theodhor Masllavica”, ishte deklarata e drejtuesit të Federatës së Peshëngrijtes, i cili kësisoj i hap rrugë një epoke të re në shtangën shqiptare.

Kjo e fundit duket se në të ardhmen do të drejtohet nga një grua, trajnerja elbasanase, Eglantina Çuni, e cila është kandidatja e vetme që mbetet në garë për zgjedhjet që zhvillohen këtë fundjave.

Masllavica drejtoi Federatën në një periudhë shumë të vështirë, por arriti ta nxirrte nga epoka e errët ku vit pas viti regjistroheshin atletë që kishin përdorur substanca të palejuara, duke sjellë edhe skualifikime disavjeçare nga arena ndërkombëtare. /vipsport/