Një tjetër emër i njohur i futbollit botëror rezulton pozitiv në testin e parë për koronavirus. Zhorge Zhezus, trajneri i njohur portugez i cili aktualisht drejton Flamengon në Brazil, sot ka rezultuar pozitiv pas testimeve që iu bënë gjithë stafit dhe skuadrës.

Tekniku i cili në pak muaj e ktheu Flamengon në superfuqi në Brazil duke fituar kampionatin e më pas edhe Kupën Libertadores ku bëri të tijin trofeun më të lakmuar, ka qenë i vetmi që ka rezultuar pozitiv pas testimeve që kreu klubi për të parë gjendjen e ekipit pasi u vendos ndërprerje e të gjithë aktiviteteve futbollistike në vend.

Megjithatë, ai pritet që t’i nënshtrohet një testi të dytë për të mësuar me saktësi se si është gjendja e tij, pasi për momentin nuk shfaq asnjë nga simptomat.

Zhezus ka qenë në karrierën e tij trajner në disa klube të ndryshme por mori famë në periudhën kur drejtoi Sporting Lisbonën.

Gjatë atyre viteve ai vizitoi edhe vendin tonë, kur klubi portugez u ndesh me Skënderbeun në Ligën e Europës në edicionin e parë që korçarët luajtën në këtë turne, në vitin 2015. /vipsport/