Na ka ndodhur të gjithëve që ditën kur kemi lënë një ndeshje kalçeto, dy apo tre të mos vijnë dhe jemi detyruar të bëhemi “miks” dhe riformatojmë ekipet… Në Lega Pro, ose Serie C (kategoria e tretë italiane) diçka e tillë nuk mund të bëhet, por mund të nisë ndeshja edhe me 18 futbollistë në fushë… Po, po, e dëgjuat mirë! Ngjarja nuk do të kishte bërë kurrë bujë nëse Cuneo-Pro Piacenza nuk do të përfundonte 20-0…

Pa rroga, pa të ardhme dhe me rrezikun për t’u përjashtuar nga kampionati i kategorisë, drejtuesit e klubit i falen vetëm 8 futbollistëve të improvizuar, mes tyre njëri nuk mundi të federohej në kohë. Eshtë një ndihmës trajner, një masazhator, por edhe një adoleshent. Mes tyre, shqiptari Kalvin Isufi, që kurrë nuk kishte debutuar në një ligë profesioniste.

Isufi ka harruar kartën e identetit në shtëpi dhe është marrë sa për të mbushur rradhët. Arbitri mbyll një sy dhe ndeshja nis. Lojtarët e Cuneos nisin të shënojnë pa u ndalur, ndërsa të ashtuquajturit “lojtarë” të Pro Piacenzas vazhdojnë të luftojnë, edhe pse vetëm shtatë në fushë. “Edhe nëse shënojnë 50 gola, ne do të mbarojmë ndeshjen deri në minutën e 90”.

 

Cuneu e ekzagjeron dhe e motivon më pas duke thënë se vetëm kështu do të binte sirena e alarmit për kaosin e krijuar në kategorinë e tretë dhe licencimin e disa skuadrave që nuk kanë ofruar garanci ekonomike për të mbyllur sezonin.

“Nuk mund të linim skuadrën të përjashtohej nga kampionati!”, do të thonin pas ndeshjes ata që morrën pjesë në këtë turp të madh për futbollin italian. Ata janë heronj, sigurisht, sepse nuk u dorëzuan, ndërsa lojtarët e Cuneos më pak, pasi mund të ishin ndalur dhe jo njollosur historinë e një klubi. Sigurisht, ata që patën mundësi të debutonin mes profesionistëve, do ta mbajnë mend si ditën më të zezë, por edhe për faktin se u bënë “burra” përpara kohe…

Një masazhator, një përgatitës, një magazinier dhe disa fëmijë. Pro Piacenza u përjashtua nga kampionati dhe rezultati i ndeshjes u modifikua në 3-0 në tavolinë për Cuneon, që më kot shënoi 20 gola…