Historia e boksit shkodran pas viteve ’90 ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme. Trofe të shumtë, medalje të pafund në turne të ndryshëm dhe padiskutim që emrat e boksierëve të Vllaznisë apo dhe të trajnerëve që i kanë stërvitur, tashmë janë të njohur për të gjithë.

Por në fakt, ka edhe raste kur boksierë të ndryshëm ndonëse kanë qenë të suksesshëm në karrierën e tyre, janë lënë disi në harresë.

Njëri prej tyre mund të jetë edhe Blerim Aliaj, pesë herë kampioni i Shqipërisë. Një sportist i cili meriton vërtetë vëmendje sepse i ka dhënë jo pak Vllaznisë por edhe kombëtares shqiptare.

Spikat me të rinjtë duke u shpallur kampion i Shqipërisë dhe më pas kalon me të rriturit, aty ku sukseset nuk do t’i mungojnë. Shpallet kampion në vitet 1997, 1998, 2000, 2002 dhe 2003.

Po në vitin 2003 fiton edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë. Ka qenë për disa vite me rradhë pjestar i ekipit kombëtar shqiptar.

Pësoi një aksident të rëndë dhe megjithatë pas rikuperimit nuk iu nda sërish sportit të preferuar të tij- boksit, duke vazhduar sërish karrierën e tij. Ka konkurruar në peshën e tij të preferuar, atë 81 kg dhe ka spikatur për përgatitjen e lartë fizike por edhe atë teknike.
Gjergj KOLA

Ne foto boksieri Blerim Aliaj me ish- trajnerin e Vllaznise Tonin Dema