Izmir Smajlaj vazhdon të ngrejë lart flamurin kuqezi pavarësisht kushteve të vështira që i ofron vendi ynë. Shkodrani ka arritur të fitojë vendin e parë në kërcim së gjati, duke prekur tokën në distancën 7.90 metra dhe çmimin si sportisti më i mirë i turneut të atletikës që u zhvillua në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë.

Ai është i lumtur për këtë sukses, por objektivi më i madh është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” dhe Kampionatin Evropian të Atletikës.

Thekson edhe një herë kushtet e vështira dhe shpreson, që të plotësohen sa më shpejt. 26-vjeçari dëshiron të rikthejë emocionet e titullit kampion Europe para pak vitesh në mitingun, që do zhvillohet në Beograd.

“Natyrisht që jam i lumtur. Ky ishte rezultati më i mirë i imi në karrierë në muajin janar. Kemi bërë një punë të paparë me trajnerin, të cilin e falënderoj shumë, po edhe njerëzit duhet të mirëkuptojnë se ne Shqipëri është e vështirë të bësh sport. Sidomos për garën time, që duhen shumë kushte.

Qëllimi im për këtë vit është Olimpiada dhe Kampionati Europian. Për sa i përket mitingjeve është ai i Bogradit, ku kam dëshirë qe të rikthej emocionet, kur kam dalë kampion Europe në atë pistë”, tha Smajlaj për Rtsh Sport.