Shumëkush mund të ketë pyetur dje rreth arsyes se përse kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, u zëvendësua në pushimin e ndeshjes së djeshme ndaj Egnatias, për llogari të javës së 31-të të Abissnet Superiore, që përfundoi me fitoren e thellë 0-4 të rrogozhinasve, rezultatet që largoi skuadrën e Goce Sedloskit nga vendi i katërt.

Zëvendësimi i kapitenit shkodran me Mehdi Cobën nuk kishte të bënte me një zgjedhje teknike të trajnerit Sedloski, por për një dëmtim muskular të pësuar nga Gurishta, të cilin e kanë konfirmuar burime për “Shkodra Sport” pranë stafit mjekësor të Vllaznisë.

Kështu nga sa mësohet, Gurishta ka probleme muskulare në kofshët e të dyja këmbëve dhe ditën e nesërme, kapiteni shkodran do t’u nënshtrohet analizave të detajuara, të cilat do të përcaktojnë shkallën e dëmtimit.

Në fakt nga sa bëhet me dije, rikuperimi i muskulit të kofshës varion nga tre ditë deri në gjashtë javë, në varësi të shkallës së dëmtimit dhe kështu mbetet për t’u parë sesa do t’i mungojë kapiteni Erdenis Gurishta ekipit të tij.

Megjithatë, gjasat janë që në ndeshjen e rradhës ndaj Kastriotit, kapiteni nuk do të mund të jetë i gatshëm, pasi është një problem që po e shqetëson prej kohësh dhe madje edhe ndaj Egnatias, luajti me shumë sforco në pjesën e parë.
Maringlen ZHIVANI