Uvil Zajmi ishte i ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari. Në fokusin kryesor ishin ndeshjet e kësaj jave në Superiore. Kështu Zajmi përmendi fitoren spektakolare të Egnatias në shifrat 4-0 ndaj Vllaznisë, por nuk la pa disa kritika edhe Tiranën, pavarësisht se fitoi tre pikët me Kastriotin në minutën e fundit.

“Ky është një kampionat me rivalitet të jashtëzakonshëm. Surpriza e këtij kampionati është Egnatia. Po tregojnë se edhe nëse je pjesë e një qyteti jo të madh apo të konsiderohesh si dorë e dytë, mund të arrish rezultate shumë të mira. Do ta konsideroja si fitore spektakolare të Egnatias kundër Vllaznisë, rezultat që nuk e arrijnë dot shumë ekipe të tjera.

Prisja që Tirana ta kishte më të lehtë me Kastriotin. Megjithëse Kastrioti di të mbyllet mirë në mbrojtje dhe asnjëherë fitorja nuk është e lehtë kundër tyre. Këto janë fitore me vlerë shumë të madhe psikologjike, morale, që shokojnë kundërshtarët.

Por një skuadër e mirë e zgjidh ndeshjen para se të vijë minuta e fundit, është edhe pak rastësia në mes pasi në ato minuta nuk ka më strategji. Një ekip që është autoritar duhet ta zgjidh ndeshjen më para nuk duhet ta lërë për në fund”, tha Zajmi. /Sport Ekspres/