Janë 90 minuta shumë të rëndësishme për fatet dhe objektivat në këtë sezon, por edhe një mundësi hakmarrjeje për Partizanin. Vitin e shkuar ishte pikërisht Vllaznia, që pas një triumfi minimal shumë të kontestuar në “Air Albania” me gol të Herald Markut nga 11 metrat, nxori të kuqtë nga gara e titullit.

Tashmë “demat” kanë shansin të kthejnë historinë në favorin e tyre dhe përveç se të bëjnë një hap të madh për arritjen e kualifikimit në kompeticionet europiane, të zhysin thellë edhe Vllazninë dhe të vënë në dyshim të madh Europën për kuqeblutë.

Nëse kjo do të arrihej, do të ishte një hakmarrje mjaft e ëmbël në kampin e kuq, ku disa prej të cilëve i kanë ende të freskëta momentet e përballjes së sezonit të shkuar. Për sa i përket formacionit, dje janë vënë në dispozicion të Mehmetit Albion Marku dhe Cara.

Të dy luajtën thuajse gjithë ndeshjen me Shpresat ndaj Anglisë dhe aktivizimi i tyre do të përbënte risk. I vetmi që ka shanse ta nisë nga minuta e parë është mbrojtësi i djathtë. Në mesfushë, Rrapajn e zëvendëson Murataj, teksa sulmi pritet të jetë me dy, Zhuniorin dhe Skukën.