Opinion nga Liridon LECI*
Kam luajtur vetëm disa muaj me Vllazninë, por të them të drejtën, nostalgji kam ende për këtë skuadër sepse qysh kur kam ardhë në Shqipëri për herë të parë, Vllazninë e kam pasur gjithmonë në qejf si ekip dhe si qytet sepse njerëzit atje janë shumë dashamirës dhe gjithmonë të përkrahin.Pastaj kur erdha tek Vllaznia për të luajtur, isha vërtetë i lumtur se po luaja me njërin ndër ekipet më të mira në Shqipëri. Unë do thoja për vete, më i miri. Nostagji kam për shumë gjëra, gjithmonë për gjëra të bukura se ia kam kaluar shumë mirë aty. Për momentin luaj me skuadren e KALMAR.
Ajo është në ligën superiore të Suedisë dhe është një ekip mjaf i fortë. Para 3 viteve ka qenë kampion i Suedisë. Shoh se këtu punohet shumë më ndryshe se në Shqipëri. Këtu punohet me sistem. Janë gjërat e ndara, secili e kryn punën e vet në mënyrën më profesionale. Mendoj se është vërtetë kënaqësi të jesh pjesë e një Klubi të tillë. Funksionojnë gjërat shumë më ndryshe se në Shqipëri dhe prandaj kam njëfarë inati me vete se pse nuk bëhemi edhe ne kështu. Këtu futbolli është shumë më i fortë, punohet në stërvitje shumë me shumë se në Shqipëri. Pavarësisht se disi larg, e ndjek futbollin shqipëtar madje shumë, thuajse e përcjell çdo ndeshje përmes digitalbit. Këtë vit mendoj se kampionati është bërë më interesant sepse luftojnë shumë ekipe për kampion. Këtu hyn pa dyshim dhe Vllaznia. E ndjek me shumë interes ecurinë e saj çdo ditë përmes gazetës online shkodrasport.com. Shoh se janë larguar disa lojtarë të vllaznisë si Sukaj, Vajushi apo ndonjë tjetër që është shumë për Vllazninë se kur të ndalesh dhe t’i shikosh rezultatet e vllaznisë, kanë ardhë pikërisht prej këtyre 2 futbollistave. Pa harruar dhe pjesën tjetër të ekipit, por që është goxha e vështirë të gjenden lojtarë si ata. Unë besoj se Vllaznia me vetë emrin që ka, është e tillë që do luftojë për kreun e tabelës sepse ka një tifozëri të mrekullueshme që duhet ta ketë zili çdo skuader. Uroj më të mirën për vllaznin. Së fundi një mendim edhe për një çështje për të cilën po diskutohet kohët e fundit. Mua më duket shumë intesante kjo tema e bashkimit të kampionateve. Mendoj që pikësëpari është një procedurë e komplikuar mund të thoja për t’u bërë një gjë e tillë dhe së dyti nuk e di, klubet nga Kosova sa janë të përgatitura për një gjë të tillë? Por që do ishte shumë më interesante, këtë nuk e vë në diskutim. Unë megjithatë mbetem tifoz i Vllaznisë. Vazhdoj të kem lidhje me futbollistët e saj, ose më mirë të them me ish- futbollistat e saj si Vajushi, Bala. Ansi nika, Rajovic. A do kthehesha sërish të luaja në Shqipëri? Për momentin nuk e mendoj kthimin sepse kam kontratë edhe 2 vjet të tjera këtu. Prej një viti që jam këtu, kam mësuar shumë gjëra të mira dhe mundem me thanë, kam përparuar shumë si futbollist. Por futbollit nuk i dihet asnjëherë, mbase një ditë do kthehesha sërish në Shqipëri. Dy janë klubet në Shqipëri që do doja të luaj prapë me to: i pari Vllaznia dhe i dyti- Flamurtari. Prej këtij të dytit kam pasë dhe ofertë para 6 muajve, por dua ta respektoj kontratën këtu që kam në Suedi. Për fund, i dëshiroj shumë sukese Vllaznisë dhe një falenderim të veçantë tifozave Shkodran.
*Ish-futbollist i Vllaznisë nga Kosova